Lajme

Vrasja e shtatzënës, Osmani takon krerët institucionalë


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas rastit të trishtë që ndodhi të mërkurën e 30 nëntorit, ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ku përveç liderëve institucional, do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve të pavarura.

Në agjendë janë dy pika konkrete – mangësitë ekzistuese në sistemin e sigurisë dhe konkluzionet për parandalimin urgjent të dhunës ndaj grave.

“Shpresoj shumë që secili nga institucionet e Kosovës do të vijë me një listë veprimesh konkrete të cilat nënë ombrellën e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe i cili do të mbikëqyrë zbatimin e tyre do të shtyhen përpara, duke kuptuar seriozitetin e kësaj situata jashtëzakonisht tronditëse për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë”.

“Si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”, shtoi Osmani për RTK.

Më 30 nëntor, një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Vrasja e Hamide Magashit nga ish-bashkëshorti i saj S.H., tronditi shoqërinë kosovare dhe nxiti një thirrje urgjente për veprime më të ashpra kundër atyre që kryejnë dhunë ndaj grave dhe vajzave.

Ngjarja makabre – një javë nga vrasja tjetër e një guraje nga burri i saj në Prishtinë – ndodhi rreth orës 18:00, në oborrin e Spitalit të Gjinekologjisë.

Vdekja i zuri vend lindjes, gjë që i jep karakter më monstruoz rastit.

Kosova është vetëm një nga vendet e shumta që po përballet me dhunën ndaj grave, atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur “pandemi globale nën hije”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore