Lajme

Vrasja e Liridona Ademajt, Hovenier: Të punohet me seriozitet për t’i ndalur aktet keqdashëse


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për vrasjen e Liridona Ademajt – vrasjen e të cilës dyshohet se e porositi bashkëshorti i saj, Naim Murseli – ku ka thënë se ky rast është tregues që duhet të punohet me seriozitet në nivel të shoqërisë, dhe se përgjigja duhet të jetë efikase, në mënyrë që të parandalohen aktet keqdashëse.

“Tema e këtij viti është thelbësore për ndërtimin e demokracive në botë. Këtë javë dëgjuam edhe për një raste të femicidit dhe kjo tregon se sa është e nevojshme që të punohet në nivel të shoqërisë. Jam shumë i sigurt që i keni parë rrjedhat shqetësues të gjuhës së urrejtjes ndaj grave, komunitetit LGBT dhe komuniteteve të tjera nëpërmjet rrjeteve sociale”, ka thënë Hovenier në kuadër të konferencës për Integritetin e Informacionit DISICON, organizuar nga NDI.

Prandaj, theksoi diplomati amerikan se ende ka edhe shumë vend për përmirësim, dhe “nuk po flas vetëm për Kosovën”.

“Duhet ta marrim me seriozitet dhe duhet të përgjigjemi me efikasitet për t’i ndalur aktet keqdashëse. Dëshiroj të flas diçka për ndryshimet në opinion publik në Kosovë sa i përket gjinisë; në bazë të anketave 76 për qind e qytetarëve mendojnë që duhet t’u mundësohet pjesëmarrje e barabartë e grave dhe burrave në politikë, 62 për qind besojnë që ngacmimin në internet dhe portretizimi negativ në politikë dekurajon pjesëmarrjen e tyre në politikë”.

Këto statistika, vlerësoi ai, “na tregojnë se qytetarët kosovarë janë të gatshme për ta mbështetur ndryshimin”.

Ndryshe, në dosjen e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor, Prokuroria Themelore, ka dhënë detaje të veprimeve që pretendohet se i kanë kryer Nam Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor në Prishtinë, rasti ky i cili fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasojë vdekjen”.

Ndryshe, në dosjen e prokurorisë theksohet se ka pasur një “marrëveshje për një aksident të inskenuar”, ku i pandehuri, në këtë rast Naim Murseli, me dashje ka dashur të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, duke bërë një marrëveshje paraprake me dorasin Granit Plavën.

Sipas Prokurorisë, Murseli, paraprakisht e ka pajisur me armë dorasin Plava duke inskenuar veprën e “Grabitjes”.

“Murseli derisa ishte duke lëvizur me veturë, në të cilën ishte bashkëshortja Liridona dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë i pandehuri Plava para veturës, me maskë në kokë dhe revole në dorë, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Murseli me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, derisa tani e ndjera Liridona ka mbetur në veturë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë i siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Në dosjen e Prokurorisë ndër të tjera theksohet se i pandehuri Granit Plava e ka qëlluar viktimën nga afërsia me një plumb në qafë.

“Ndërsa për këto veprime i pandehuri Naim Murseli, paraprakisht i ka premtuar të pandehurit Granit Plava, një shumë të të hollave prej 30 mijë euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë, gjithashtu, jep detaje edhe për përfshirjen e Kushtrim Kokallas në rastin e vrasjes, ku sipas Prokurorisë ky i fundit ka njoftuar Murselin me dorasin, në këtë rast Granit Plavën.

“Një javë para natës kritike, të pandehurit Murseli dhe Kokalla (me të cilin kanë raporte familjare- djalë i dajës dhe djalë i hallës) dhe i pandehuri Plava (shok i të pandehurit Kokalla), janë takuar në pompën e derivateve ‘Shell’, ku i pandehuri Plava i ka treguar se merret me gjithçka”.

Pas takimit të tyre në “Shell”, sipas Prokurorisë, thuhet se Murseli i kërkon Kokallës numrin e telefonit të të pandehurit Plava, kurse në ditën kritike Murseli takohet sërish me Kokallën në ora 9:30 në qytetin e Gjakovës.

“Pas takimit në Gjakovë, Murseli ka thënë Kokallës ‘sot duhet të kryhet kjo punë’, duke aluduar në vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i thënë se do të takohet me Plavën dhe në po të njëjtën ditë, rreth orës 20:35 kryhet vrasja e Liridonës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore