Lajme

Vrasja e ambasadorit italian, çfarë fshihet pas versioneve të qeverisë së Kongos dhe të ambasadës ?


Ambasadori italian në Kongo, Luca Attanasio, karabinieri, Vittorio Iacovacci, dhe shoferi, Mustapha Milambo, ndërruan jetë nga brutaliteti i milicëve që u përpoqën t’i rrëmbenin.

Shkak i vdekjes së tyre u bë edhe mungesa e neglizhencës së insitucionet që kishin për detyrë t`i vëzhgonin, duke përmendur qeverinë e Kongos dhe mbi të gjitha Programin Botëror të Ushqimit (WFP) , të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB).

OKB-ja organizoi udhëtimin e ambasadorit në Goma dhe Bukavu. Sikurse iu shpjegua hetuesve italinë këto zona ishin nga më të rrezikshmet të Afrikës Qëndrore. Bashkëshortja e Attanasio-s pretendon se bashkëshorti i saj u vra, pasi i besoi OKB-së. 

Kjo është pista fillestare e hetimit të Prokurorisë së Romës për rrëmbimin për qëllime terroriste dhe vrasjen e ndodhur. Prokuroria së bashku me Grupin Special Hetimor po rindërtojnë faktet. Prokurorët Sergio Colaiocco dhe Alberto Pioletti kanë bërë lëvizjen e parë.

Ata i kanë kërkuar OKB-së dhe qeverisë së Kongos dhe ambasadës italiane të gjithe dokumentet që dëshmonin protokollet e sigurisë që janë miratuar për udhëtimin e ambasadorit dhe karabinierit që e shoqëronte. 

Zhvillimi i Hetimeve

Hetimi po zhvillohet në dy nivele paralele. Fillimisht duhet të kuptohet se kush ishin autorët që tentuan të rrëmbenin ambasadorin si dhe të zbulohet se kush mund ta ketë tradhëtuar atë.

Së dyti, njësoj sikurse ndodhi me protokollet e sigurisë edhe me katër punëtorët e vrarë italianë  në kompaninë e ndërtimeve Bonatti, në Libi. 

Autokolona udhëtonte pa një shoqërim të armatosur, madja ata nuk kishin as jelekë antiplumb. Rruga ku po udhëtonin ishte klasifikuar nga WFP-ja si një rrugë e verdhë, me rrezik mesatar në vend që të klasifikohej si një zonë e kuqe, me rrezikshmëri të lartë.

Gjatë muajve të fundit kishin ndodhur  12 sulme. 10 ditë më parë një tjetër mision institucional, në të cilin merrin pjesë delegatë të Këshillit të sigurimit të OKB-së kishin udhëtuar në të njëjtën rrugë me mjete të blinduara.

Prova që përcakton me siguri se cili mund të jetë përgjegjës për sigurinë mund të gjendet në një detaj aq sa të vogël edhe vendimtar : kur ambasadori mbërriti me aeroplan në Boma, Attanasio dhe të tjerët kaluan përmes kalimit kushtuar misionit  Monusco të KB-së.

Deklaratat që nuk përkojnë

Qeveria kongoleze është shprehur se nuk kishte asnjë detaj për udhëtimin e ambasadorit italian. Mediat italiane bëjnë të ditur se sekretarja e ambasadorit i kishte dërguar një letër Ministrisë së Jashtme të Kongos një javë para sulmit, në të cilën i kërkonte autoriteteve të merrin masa për udhëtimin e ambasadorit italian.

Pak minuta, pas sulmit  Guvernatori i rajonit, Carly Nzanzu Kasivita, deklaroi fillimisht se askush nuk e kishte informuar atë për misionin italian. Gjatë gjithë javës ai mbajti të njëjtën linjë. Ai pretendonte se ambasadori ishte nisur pa informuar autoritetet kongoleze. 

Por nuk kishte ndodhur kështu. Letra e ambasadës, e cila mbante datën e 15 shkurtit,përmbante të gjitha detajet e udhëtimit.

Në shkresë kërkohej akses drejt rrugës VIP në aeroportin Ndjili, duke dhënë emrat e udhëtarëve (ambasadorin Attanasio, karabinierin  Iacovacci, konsullin Alfredo Russo) dhe të shoferit nga Kinshasa që do t’i shoqëronte, Floribert Basunga.

Në letër bëheshin me dije datat dhe oraret e fluturimeve për në Goma. Rekomandohej që të mos prekeshin bagazhet diplomatike. Dhe në fund kërkohej qartë një kujdes për përfaqësuesin diplomatik.

Në këto momente ky kujdes duket se është një domosdoshmëri, nëse kemi parasysh goditjet e kallashnikovit që prisnin Attanasion  dhe boshllëqet gjatë hetimit. 

Bazuar në një raport, të Drejtorisë Kombëtare të protokollit të shtetit të Kongos, mësojmë se më 15 shkurt, pasi u dërgua shënimi verbal, ambasadori italian shkoi te përgjegjësi i protokollit për ta informuar se udhëtimi në Goma ishte anuluar. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të atij shënimi. 

Është e çuditshme që një ambasador të shkojë personalisht për të anuluar një udhëtim”, thotë një hetues. 

“Dhe është shumë e çuditshme që ambasadori të mund të ketë bërë një veprim të tillë. Nga sa dimë, misioni nuk ka qenë kurrë në diskutim”, thotë i njëjti burim për La Repubblica. 

Por përse ambasadori italian do të duhej të anulonte një mision të planifikuar që në vitin 2020?

Kongo pretendon se ishte “befasuar”, në momentin që  mësoi nga mediat sociale për vrasjen e ambasadorit. Ata thonë se ishin duke pritur anulimin e fluturimit. 

Në çdo rast, saktëson Kinshasa zyrtare, shënimi verbal i ambasadës italiane fliste vetëm për një vizitë në komunitetin italian në Goma dhe Bukavu. Në shkresë nuk përmendej udhëtimi për në Rutshuru. 

Ka dhe një detaj interesant që qeveria kongoleze rrëfen. 

“Kur mësuam se Attanasio ishte vrarë kontrolluam në komunikim me aeroportin Ndijili, nëse ambasadori kishte përdorur sallën diplomatike. Por zyrtarët na thanë se nuk e panë atë duke hipur “, shkruan Sanza Ngoy Katumwe, nga Drejtoria Kombëtare e Protokollit të Shtetit të Kongos. 

Ky detaj konsiderohet thelbësor nga hetuesit e hetimit italian, duke e cilësuar këtë si një provë, ku dëshmohet se Attanasio i kishte besuar plotësisht OKB-së. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore