Lajme

Votohet për herë të parë në PE rezoluta që kërkon njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë


Parlamenti Evropian.

Për herë të parë në Parlamentin Evropian është votuar rezoluta që kërkon njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Në dokument thuhet se për herë të parë njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës është zgjidhja e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Një pjesë e fjalisë në rezolutën që i bën thirrje Serbisë dhe Kosovës të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve “bazuar në njohjen reciproke” është shtuar përmes një amendamenti të paraqitur nga Lukas Mandl, anëtar i Partisë Popullore Evropiane.

Eurodeputeti katalonez, Jordi Sole, në seancën plenare të Parlamentit Evropian është shprehur se i mbështesin reformat e Kosovës që do ta sjellin atë më afër BE-së.

Ndërsa ka përmendur edhe vendet të cilët po e refuzojnë Kosovën.

“Ne i mirëpresim reformat e Kosovës që do ta sjellin vendin më afër Bashkimit Evropian. Pesë shtete anëtare të BE-së – përfshirë Spanjën – me kryefortësi po refuzojnë të njohin Kosovën si shtet të pavarur, një shtet i cili së shpejti do të na kërkojë formalisht që të bëhet shtet anëtare e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Sole.

Parlamenti Evropian.

Ai madje refuzimin nga ana e Spanjës e ka quajtur si “situatë absude”.

Kosovës i janë bërë premtime dhe ato premtime nuk janë nderuar, ka thënë edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl në Parlamentin e BE-së, derisa elaboroi padrejtësinë që u është bërë qytetarëve të Kosovës, të cilët ende nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes së lirë brenda Bashkimit Evropian.

Mandl e cilësoi si demokraci të qëndrueshme sistemin socio-politik në Kosovë, për çka tha se është shtet me shumë diversitet.

“Dua të them se Kosova ka paguar me gjak lirinë e saj. BE dhe ShBA e ndihmuan vendin për të fituar pavarësinë. Ky vend është bërë demokratik, ka sundim të ligjit dhe e ka bërë me shpejtësi të madhe. Është demokraci e qëndrueshme dhe vend me shumëllojshmëri”, u shpreh Mandl.

Kosova, tha Mandl, është demokracia më e re në Evropë. Ndryshe, rezoluta të tilla të Parlamentit Evropian, që në formën e raporteve individuale për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor miratohen një herë në vit, kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore