Lajme

Eurodeputeti katalonez: I mirëpresim reformat e Kosovës që do ta sjellin vendin afër BE-së


Eurodeputeti katalonez, Jordi Sole.

Eurodeputeti katalonez, Jordi Sole, në seancën plenare të Parlamentit Evropian është shprehur se i mbështesin reformat e Kosovës që do ta sjellin atë më afër BE-së.

Ndërsa ka përmendur edhe vendet të cilët po e refuzojnë Kosovën.

“Ne i mirëpresim reformat e Kosovës që do ta sjellin vendin më afër Bashkimit Evropian. Pesë shtete anëtare të BE-së – përfshirë Spanjën – me kryefortësi po refuzojnë të njohin Kosovën si shtet të pavarur, një shtet i cili së shpejti do të na kërkojë formalisht që të bëhet shtet anëtare e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Sole.

Ai madje refuzimin nga ana e Spanjës e ka quajtur si “situatë absude”.

“Për më tepër kur mosnjohësit shohin për situatat e tyre të brendshme me frikën se po shkaktojnë precedentë në lidhje me mënyrat se si arrihet shtetësia, siç është rasti në Spanjë”.

Sole, theksoi edhe pavarësinë e Kosovës të cilën e konsideron si të ligjshme dhe realitet i shumë viteve.

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, e ligjshme, demokratike dhe ka qenë realitet qe shumë vite. Pengimi i perspektivës evropiane të Kosovës duke mos ia njohur pavarësinë është gjë egoiste dhe e dobëson bashkësinë tonë evropiane, ju falemnderit”.

Kosovës i janë bërë premtime dhe ato premtime nuk janë nderuar, ka thënë edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl në Parlamentin e BE-së, derisa elaboroi padrejtësinë që u është bërë qytetarëve të Kosovës, të cilët ende nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes së lirë brenda Bashkimit Evropian.

Mandl e cilësoi si demokraci të qëndrueshme sistemin socio-politik në Kosovë, për çka tha se është shtet me shumë diversitet.

“Dua të them se Kosova ka paguar me gjak lirinë e saj. BE dhe ShBA e ndihmuan vendin për të fituar pavarësinë. Ky vend është bërë demokratik, ka sundim të ligjit dhe e ka bërë me shpejtësi të madhe. Është demokraci e qëndrueshme dhe vend me shumëllojshmëri”, u shpreh Mandl.

Kosova, tha Mandl, është demokracia më e re në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore