Lajme

Von Cramon optimiste: Shpresojmë që në Ohër t’i shohim nënshkrimet, do të jetë një hap i madh drejt integrimit


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, vlerësoi se takimi i ardhshëm në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, do të përfundojë me nënshkrimin e marrëveshjes evropiane.

Ajo teksa ka shpërndarë një cicërimë të ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, shtoi se nënshkrimi i marrëveshjes nga të dy liderët do të ishtë një hap i madh drejt integrimeve evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mund të pajtohem më shumë. Shpresojmë shumë që në fund të javës së ardhshme në Ohër do t’i shohim edhe nënshkrimet e Kosovës dhe Serbisë nën tekstin e marrëveshjes. Ky do të jetë një hap i madh drejt integrimit për të dy vendet”, shkroi ajo.

Çka shkroi Rhode?

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se mbështet plotësisht përpjekjet e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërsa pati edhe një apel për kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç.

“Kosova do të fitojë shumë. Kosova duhet të zbatojë detyrimin e saj të gjatë dhe të përmbushë themelimin e Asociacionit tani. Apeli im për Kosovën dhe Serbinë për bisedimet e ardhshme në Ohër është: ‘Mos e humbisni autobusin”, shkroi ambasadori gjerman.

Rohde gjithashtu ka shtuar se një marrëveshje mes palëve do të përshpejtojë integrimin euroatlantik të Kosovës dhe është një shans historik në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe njohjes reciproke.

Intervistë e Von Cramon për Albanian Post: Pala që s’e nënshkruan marrëveshjen do izolohet ndërkombëtarisht dhe do fajësohet për dështimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore