Sport

Villarreal, rruga drejt lavdisë


Skuadra spanjolle e Villarreal-it do të jetë për të parën herë në historinë e saj në një finale të rëndësishme europiane. Por, nëse Villarreal-i e ka herën e parë, trajneri i tyre është ekspert i këtij kompeticioni, pasi e ka herën e pestë që shkon në finale, ku tri herë e ka fituar (Sevilla) dhe një herë e ka humbur (Arsenal).

Villarreal-i do të jetë përballë Manchester United-it më 26 maj në “Stadion Miejski” të Gdanskut në Poloni. Me këta të fundit që eliminuan italianët e Roma-s.

Klubi i Villarreal-it mban të njëjtin emër si qyteti ku ndodhet. Qytet, i cili është themeluar në 1274 nga mbreti James I-rë i Aragonit, gjatë fushatës së tij, për të rifituar territoret myslimane në Valencian e sotme.

Aktualisht qyteti i Villarreal-it numëron rreth 50 mijë banorë. Zona shquhet më së shumti për bujqësi, kultivimin e portokallit dhe industrinë e qeramikës, se sa për futboll. Gjithashtu është vendi ku lindi, Gran Vals-i, kompozitori i ziles së famshme në telefonat Nokia (Nokia Tune).

Rrugëtimi i klubit të Villarreal-it do të fillonte më 10 mars 1923. Një histori gati 100-vjeçare, por nuk ka asnjë titull që të shënojë një pikë kulmore në historinë e klubit. Skuadra i luan ndeshjet pritëse në “Estadio de la Ceramica” i njohur ndryshe si El Madrigal, që ka një kapacitet rreth 23 mijë e 500 vende.

Villarreal-i njihet ndryshe me nofkën “Nëndetësja e Verdhë” (El Submari Groguet/ El Submarino Amarillo) dhe ngjyra e verdhë është mbizotëruese në fanellën e parë të tyre.

Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij, klubi ka luajtur në divizionet e ulëta spanjolle. Në vitin 1970, Villarreal-i arriti për herë të parë ngjitjen në Segunda Division (Kategoria e Dytë Spanjolle, pas La Ligës). Disa vite pasardhëse, klubi nuk kishte shumë stabilitet dhe luante midis Segunda dhe Tercera.

Për herë të parë në La Liga, Villarreal-i luajti në sezonin 1998/99, por në fund të sezonit përfundoi në vendin e 18-të, duke rënë nga kategoria. Një vit më vonë u ngjitën përsëri dhe qëndruan deri në sezonin 2011/’12, kur përfunduan përsëri të 18-ët dhe ranë nga kategoria. Dhe, në këtë rast, pas një viti u ngjitën në La Liga dhe deri atëherë janë pjesë e pandarë e saj.

Ecurinë më të mirë në La Liga e kanë pasur në sezonin 2007/08 kur përfunduan në vendin e dytë. Asokohe kishin në përbërje lojtarë si: Diego Godin-in, Joan Capdevila-n, Robert Pires-in, Santi Carzola-n, Marcos Sena-n, Giuseppe Rossi-n, Bruno-n, apo dhe Diego Lopez-in.

Në Europa Ligë për herë të parë, Villarreal-i ka luajtur në sezonin 2003/04, pasi fitoi Kupën Intertoto, duke mposhtur Heerenveen-in në finale. Në Europa Ligë, Nëndetësja e Verdhë arriti një rezultat historik në debutimin e saj, duke shkuar deri në fazën e gjysmëfinaleve, ku u ndal nga Valencia.

Paraqitjen e parë në Ligën e Kampionëve e bëri në 2005. Në stolin e ekipit atëherë qëndronte, Manuel Pellegrini, ndërsa kishte në përberje lojtarë si: Diego Forlan-i, Alessio Tachinardi, Santi Cazorla, Marcos Senna, Juan Riquelme etj. Arritën deri në gjysmëfinale, ku u eleminuan nga Arsenal-i.

Deri atëherë dhe në vazhdim, Villarreal-i ka marrë pjesë edhe disa herë të tjera në kompeticionet europiane, për të arritur deri në sezonin aktual.

Në stol në fillim të këtij sezoni, Villarreal-i vendosi, Unai Emery-n e shkarkuar nga Arsenal-i. Trajneri bask ka shumë eksperiencë në nivele të larta të futbollit, pasi ka drejtuar klube si Valencia, Spartak Moscow, Sevilla, PSG dhe Arsenal.

49-vjeçari ka arritur të fitojë tre herë Europa Ligën me Sevilla-n dhe gjashtë trofe të tjerë i ka fituar me PSG-në: një trofe të Ligës së Parë, dy trofe të Kupës së Francës, një Kupë Lige të Francës dhe dy Superkupa të Francës.

Villarreal-i ka në përberje një grup lojtarësh që vlejnë rreth 247 milionë euro, sipas Transfermarket-it. Lojtarët më të spikatur janë: Pau Torres-i, Paco Alcacer-i, Gerard Moreno, Samuel Chukwueze, Dani Parejo, Manu Trigueros, Alfonso Pedraza, Mario Gaspar-i dhe Raul Albiol-i.

Në edicionin e këtij viti, Villarreal-i ishte pjesë e Grupit I, së bashku me Maccabi Tel Aviv-in, Sivasspor-in dhe Qarabag-un. Spanjollët dolën të parët në gurp, duke u kualifikuar në raundin e të 32-ave.

Në Raundin e 1/32, Villarreal-i eleminoi austriakët e RB Salzburg-ut, më pas Dynamo Kyiv-in, Dinamo Zagreb-in dhe Arsenal-in, për të arritur te finalja me Manchester United-in.

Golashënuesit më të mirë të Villarreal-it në Ligën e Europes janë Moreno dhe Alcacer-i me nga gjashtë gola. Asistuesit më të mirë janë Moreno dhe Samu Chukwueze me nga pesë.

Tashmë janë vetëm 90 minuta, që mund të bëjnë realitet ëndrrën e një ekipi dhe të një qyteti për të fituar një trofe të rëndësishëm, të parin në 98 vite histori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore