Sport

Vedat Muriqi pritet të transferohet në La Liga


Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, është afër transferimit në La Liga-n spanjolle, te skuadra e Mallorca-s.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali dhe në Spanjë, sulmuesi i Lazio-s, Muqiqi, pritet që në këtë afat kalimtar të kalojë te klubi i Mallorca-s.

Në bazë të raportimeve, Muriqi kërkohet në formulën e huazimit me të drejtë blerje në fund të sezonit.

Për këtë transferim, klubi spanjoll do ta paguajë atë italian 300 mijë euro, ndërsa nëse vendosin që ta blejnë 27 vjeçarin, duhet të paguajnë edhe shumën e 13 milionë eurove.

Lazio është gati të japë dritën e gjelbër, duke qenë se Mallorca ka garantuar t’ia paguajë rrogën nga tani deri në qershor.

Kujtojmë që Muriqi nuk po kalon aspak momente të mira me klubin nga kryeqyteti italian. Ai këtë sezon është aktivizuar fare pak me klubin e tij, ku numëron vetëm 384 minuta në të gjitha garat.

Sulmuesi i Dardanëve u transferua te klubi italian në verën e vitit 2020 nga skuadra e Fenerbahece-s, për shumën e 20 milionë eurove.

Në total, Muriqi numëron 43 paraqitje me Lazio-n në të gjitha garat, prej të cilave ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm dy herë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore