Film

Vdes regjisorja Vjosa Berisha


Vjosa Berisha

Këtë të entje është ndarë nga jeta, regjisorja e mirënjohur Vjosa Berisha.

Berisha, e cila vuante nga kanceri në vezore, ka ndërruar jetë në spitalin “University College Hospital” në Londër.

Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, përmes një postimi në Instagram.

“Me pikëllim të thellë bëjmë të ditur se e dashura jonë Vjosa Berisha ndërroi jetë, sot me datë 23 qershor në spitalin University College Hospital në Londër”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, data dhe vendi i varrimit, sipas njoftimit, do të bëhet e ditur më vonë.

Berisha ishte diagnostikuar me kancer në vezore që nga marsi i vitit 2013.

Ajo po merrte mjekim jashtë vendit, megjithatë viteve të fundit u tha se gjendja e saj ishte stabile.

Berisha ishte anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2013, dhe formimi i saj arsimor përbëhet nga një diplomë Master i Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Westminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë.

Gjithsesi, ajo numëronte mbi 20 vjet përvojë në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit.

Regjisorja ka qenë bashkëpronare dhe shefe ekzekutive e kompanisë së prodhimit të filmit dhe televizionit “B2 – PR & Media Solutions”, me zyra në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjithashtu ishte bashkëthemeluese e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “Pri Film Fest”, i themeluar në vitin 2008, i cili për 11 vjet u bë një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në vend.

Përveç kësaj, Berisha në vitin 2019 kishte prodhuar filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” me skenaristin, regjisorin dhe burrin e saj Fatos Berisha.

Në po atë vit kishte bashkë-prodhuar filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” me regjisorin Borjan Zafirovski.

Figurat politike, publike, kolegët e Vjosës, janë shprehur të tronditur me vdekjen e papritur të saj, ndërsa nuk kanë ngurruar që ngushëllimet t’i ndajnë me publikun në mediat sociale.

Këngëtari, Dren Abazi ka qenë ndër të parët që ka reaguar duke thënë: “Fatos, me pikelloi shume ky lajm! Bonu i forte. Ngushëllime të sinqerta”

Reagim ka bërë edhe moderatorja Xheraldina Vula, e cila përmes një postimi në Instagram, i dha lamtumirën e fundit Vjosës.

“Lamtumire Vjoski, lamtumire dashnia jone ne karantine”.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ku mes tjerash thuhej se “nuk e humbëm vetëm një artiste, por humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për kulturën e re të vendit tonë”.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të regjisores dhe producentes, Vjosa Berisha. Ikja e parakohshme ka ndalur përgjysmë veprimtarinë e saj artistike, menaxheriale dhe kjo lë zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë” ka shkruar MKRS.

Një reagim për vdekjen e regjisores e ka bërë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili ndihet i pikëlluar.

“U mërzita shumë kur dëgjova sot për vdekjen e Vjosa Berishës. Ajo ishte kryetarja e Chevening Kosovo dhe ishte gjithmonë kënaqësi ta takoja, të flisnim për punën e saj dhe çfarë mund të bënim më shumë për të promovuar Britanisë së Madhe”, ka shkruar ai.

Reagim pati edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e regjisores të cilën e ka quajtur “Vjosa e Prishtinës”

“Sot, Prishtinës iu shua një dritë që përgjatë njëzet viteve pa u ndalur, ka rrezatuar aq shndritshëm në skenën kulturore e kinematografike në vend me punën, profesionalizmin dhe energjinë e saj të pashoq”, ka thënë mes tjerash Rama, në Facebook.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një fotografie përkrah Vjosës, ka shprehur ngushëllimet e tij.

“Linde si dielli dhe mbete lart në qiell për të mos perënduar asnjëherë. Do na mungosh shumë! Lamtumirë Vjosa jonë e dashur””, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore