Lajme

Vdekja e Navalny-t tregon dobësinë e sistemit që presidenti rus ka ndërtuar, thotë Blinken


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka fajësuar regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për vdekjen e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, në burg.

Blinken- nga Mynihu ku ndodhet për Konferencën e Sigurisë – tha se kjo vetëm tregon dobësinë e sistemit që presidenti rus ka ndërtuar.

“Më së pari, nëse këto raportime janë të vërteta, zemrat tona janë me bashkëshorten dhe familjen e tij”, tha Blinken në Mynih.

Sipas tij, vdekja në një burg rusi dhe izolimi dhe frika ndaj një njeriu të vetëm shënjon dobësinë dhe kalbësinë e sistemit që Putin ka ndërtuar.

“Rusia është përgjegjëse për këtë”.

Politikani rus i opozitës Alexei Navalny, ka ndërruar jetë mesditën e së premtes.

Ka qenë shërbimi i burgjeve ruse që ka raportuar se kritiku dhe kundërshtari i presidentit rus Vladimir Putin ka ndërruar jetë.

“Më 16 shkurt 2024, në koloninë korrektuese nr 3, i dënuari A. Navalny nuk u ndje mirë pas një shëtitjeje, pothuajse menjëherë duke humbur vetëdijen”, thuhet në deklaratë.

“Menjëherë kanë mbërritur punonjësit mjekësorë të institucionit dhe është thirrur ekipi mjekësor i urgjencës”, vijon njoftimi.

Sakaq, bëhet me dije se janë kryer të gjitha masat e nevojshme, por nuk kanë dhënë rezultate pozitive.

Njoftimi i shërbimit të burgjeve ruse

Navalny dukej i shëndetshëm kur u shfaq me video për një apel në sallën e gjyqit të enjten. Duke folur nga burgu, Navalny u ankua për gjobat e shpeshta që merrte ndërsa ishte në një qeli ndëshkuese në burg dhe i kërkoi gjykatësit t’i dërgonte disa para “pasi imja po mbaron falë vendimeve tuaja”.

Shkaku i vdekjes nuk ishte përcaktuar, tha shërbimi penitenciar. Navalny vitin e kaluar ishte trajtuar në spital pasi u ankua për kequshqyerje dhe sëmundje të tjera për shkak të keqtrajtimit në burg.

Reagimet ndërkombëtare

Aleksei Navalny u “vra brutalisht nga Kremlini”.

Kështu deklaroi presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, duke komentuar lajmin për vdekjen e opozitarit rus, Alexei Navalny.

Gjithashtu reagime ka pasur dhe nga zyrtarë të lartë të shteteve të tjera.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak e ka konsideruar si një lajm të “tmerrshëm, pasi mbrojtësi më i ashpër i demokracisë ruse Alexei Navalny ka treguar guxim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij”.

Alexei Navalny “pagoi guximin e tij me jetën e tij”. Kështu e komentoi kancelari gjerman Olaf Scholz lajmin për vdekjen e kundërshtarit rus teksa ndodhej në një koloni penale.

Udhëheqësi i Berlinit tha se ishte “shumë i pikëlluar”.

“Bota ka humbur një luftëtar, guximi i të cilit do të rezonojë në breza. I tmerruar nga vdekja e fituesit të çmimit Sakharov, Alexei Navalny. Rusia ia hoqi lirinë dhe jetën, por jo dinjitetin. Lufta e tij për demokraci vazhdon. Mendimet tona janë me gruan dhe fëmijët e tij”.

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, shkruan në X.

Sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg shpjegoi se në hetimet për vdekjen e Navalny, “Moska duhet t’u përgjigjet pyetjeve serioze”.

Qeveria ruse mban një “përgjegjësi të rëndë” për vdekjen e Navalny në një koloni penale. Ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide tha këtë, duke shtuar se ai ishte “thellësisht i pikëlluar nga lajmi”.

Alexei Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Për idealet e tij, ai bëri sakrificën e fundit. BE-ja mban regjimin rus përgjegjës të vetëm për këtë vdekje tragjike. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij. Dhe atyre që luftojnë për demokraci në mbarë botën në kushtet më të errëta. Luftëtarët vdesin. Por lufta për liri nuk mbaron kurrë”. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e deklaroi këtë në X.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, dënoi atë që ajo e quajti një reagim “të menjëhershëm” të liderëve të vendeve të NATO-s për vdekjen në burg të kundërshtarit Aleksei Navalny.

“Nuk i kemi ende rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, por përfundimet e Perëndimit (që autoritetet ruse janë përgjegjëse për vdekjen e politikanit) janë tashmë gati”, shkroi Zakharova në Telegram.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore