Lajme

Ulja e buxhetit për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Bislimi: Spastrim etnik


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas vendimit të autoriteteve serbe për të ulur për mbi 1 milionë dinarë buxhetin për Këshillin Kombëtar Shqiptar për vitin 2024 në Luginën e Preshevës, duke cilësuar këtë akt si “spastrim etnik”.

Bislimi përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën sociale ndërsa ka potencuar se “Kosova denoncon padrejtësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thumbuar edhe Bashkimin Evropian duke vlerësuar se ndoshta “Unioni ende nuk e sheh këtë si një akt të njëanshëm të Serbisë”.

“Kështu duket pakica më e diskriminuar në Evropë. Kosova denoncon padrejtësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ne qëndrojmë të fortë dhe të vendosur për të luftuar për barazi dhe trajtim të drejtë”, ka shkruar Bislimi ndër të tjera.

Për mbi 1 milion dinarë Serbia e ka ulur buxhetin për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) për vitin 2024 në Luginë të Preshevës, ka njoftuar kryetari i KKSH-së, Nevzad Lutfiu.

“Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në vend që të rrisë buxhetin për Këshillin Kombëtar Shqiptar për vitin 2024 e ka ulur atë për mbi 1 milion dinarë. Buxheti për institucionin tonë do duhej të rritej për shkak regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, kjo jo që nuk u mor parasysh, përkundrazi e ulën buxhetin”, ka shkruar në Facebook Lutfiu.

Ky vendim i Qeverisë serbe, sipas tij e vështirëson jashtëzakonisht shumë funksionimin e KKSH-së, derisa ka treguar se për këtë i kanë njoftuar ndërkombëtarët.

“As ky kërcënim nuk do të na zmbraps nga puna, përkundrazi do të punojmë edhe më fuqishëm për të drejtat tona, pavarësisht diskriminimeve dhe vendimeve skandaloze si ky”.

Lutfiu: Serbia e ka ulur buxhetin për KKSH-në për mbi 1 milion dinarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore