Lajme

Szunyog: Rruga evropiane e Kosovës varet nga dialogu


Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ndërsa ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, ka vlerësuar se një gjë e tillë do të varet nga dialogu me Serbinë.

Këto deklarata diplomati çek i ka bërë gjatë një fjalimi të tij në Forumin “Budapest Security Dialogue”.

Szunyog ndër të tjera, siç ka njoftuar nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, ka potencuar se blloku evropian pret që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit pa asnjë vonesë apo parakusht.

“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë ta ndihmojmë Kosovën të afrohet me BE-në dhe të shfrytëzojë mundësitë që ofron procesi i zgjerimit të BE-së”, ka shkruar ai.

Marrë për bazë faktin se zgjerimi është i bazuar në merita, Szunyog, ka kërkuar nga institucionet kosovare të përshpejtojnë ritmin e reformave.

“Kosova duhet të bëjë progres të prekshëm dhe të pakthyeshëm, duke filluar nga bazat, përkatësisht sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, ekonomia dhe funksionimi i institucioneve demokratike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore