Sport

UEFA pret kandidaturat për organizimin e Euro 2028, përcaktohen kushtet


Organi më i lartë drejtues i futbollit në Evropë, UEFA, ka njoftuar gjatë ditës së martë të 12 tetorit se janë të hapur për të pritur kandidaturat për organizmin e Kampionatit Evropian, Euro 2028.

Ndërkohë, pak ditë më parë u prezantua edhe logo zyrtare e Kampionatit Evropian të vitit 2024 që do të mbahet në Gjermani. Kur kanë mbetur edhe gati shtatë vite, procedurat për Euro 2028 janë hapur.

Shoqatat anëtare të UEFA-s, mund të dërgojnë kandidaturat e tyre pranë këtij organi deri në marsin e vitit 2022. Euro 2028 parashikon të ketë 24 skuadra finaliste dhe do të luhen 51 ndeshje. Do të lejohet që të aplikojnë dy ose me shumë shtete nëse janë gjeografikisht fqinje.

Ndër kushtet kryesore për vendet që duan të organizojnë Euro 2028 do të jenë stadiumet. Kërkohet që të kenë 10 stadiume sipas kritereve të UEFA-s.

Në kritetet e stadiumeve kërkohet: të paktën një stadium me kapacitet neto minimal prej 60 mijë vendesh; një deri në dy stadiume me kapacitet neto minimal 50 mijë vende;  katër stadiume me kapacitet neto minimal 40 mijë vende dhe tre stadiume me kapacitet neto minimal prej 30 mijë vendesh.

Federatat duhet të respektojnë datat e përcaktuara të aplikimit nga UEFA. Afati i fundit për aplikim është data 23 mars 2022. Komunikimi i kërkesave për kandidaturën e federatave të interesuara është deri më 30 mars 2022.

UEFA do të njoftojë shoqatat kandidate deri më 5 prill 2022. 12 prilli i vitit 2023 do të jetë afati i fundit për dorëzimin e skedarit përfundimtar të aplikimit. Dhe në shtator të vitit 2023 do të shpallet zyrtarisht vendi ose vendet që do të kenë të drejtën e organizmit të UEFA Euro 2028.

Meqenëse rregullat e konkursit nuk janë publikuar ende, informacioni mbi të dhënat, numri i ekipeve pjesëmarrëse dhe numri i ndeshjeve është i përkohshëm dhe mund të ndryshojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore