Euro 2020

UEFA ndalon Gjermaninë të shpalosë flamurin e LGBT-së në “Allianz Arena”


Stadiumi “Allianz Arena” i ndriçuar në ndeshjen mes Bayern Munich dhe Hoffenheim, më 30 janar 2021.

UEFA ka refuzuar kërkesën e Kombëtares së Gjermanisë, për të ndriçuar stadiumin “Allianz Arena” me ngjyrat e flamurit LGBT, në ndeshjen e së mërkurës mes Gjermanisë dhe Hungarisë.

Gjermania kishte bërë kërkesë, që gjatë kësaj ndeshjeje, stadiumi të ndriçohej me ngjyrat e këtij komuniteti, mirëpo UEFA nuk e ka lejuar këtë gjë, pasi e ka cilësuar si një kauzë me kontekst politik, raporton CNN.

Kërkesa ishte bërë pas një propozimi nga këshilli i qytetit të Munihut, pas një ligji anti-LGBT, të miratuar nga parlamenti i Hungarisë javën e kaluar.

Hungaria kishte miratuar një ligj, i cili i ndalon shkollat ​​të postojnë përmbajtje që mendohet se promovojnë homoseksualitetin dhe ndryshimin e gjinisë.

Një deklaratë e organit drejtues të futbollit evropian, e lëshuar të martën, sqaron qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje.

“Racizmi, homofobia, seksizmi dhe të gjitha format e diskriminimit janë një njollë në shoqëritë tona dhe përfaqësojnë një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet futbolli sot. Megjithatë, UEFA, përmes statutit të saj, është një organizatë neutrale politikisht dhe në aspektin fetar. Duke pasur parasysh kontekstin politik të kësaj kërkese, UEFA duhet ta refuzojë këtë kërkesë”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.

Kujtojmë që stadiumi “Allianz Arena” ishte ndriçuar edhe më herët me ngjyrat e këtij komuniteti, ku hera e fundit ishte më 30 janar të këtij viti, në ndeshjen mes Bayern Munich dhe Hoffenheim.

Gjermania dhe Hungaria do ta zhvillojnë ndeshjen e fundit të grupeve, në Kampionatin Evropian “Euro 2020”, këtë të mërkurë në ora 21:00.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore