Lajme

Tri pyetje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar të dijë se për cilin model të Asociacionit është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, Haradinaj i ka shtruar tri pyetje kryeministrit Kurti.

“A jeni kundër Asociacionit, apo jeni kundër Asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës?” A keni propozuar Asociacion gjeografik, çka nënkupton ai dhe a është në bazë të Kushtetutës së Kosovës? dhe “Nëse keni propozuar Asociacion gjeografik, atëherë na trego pse ky Asociacion është më i mirë sesa Asociacioni në bazë të Kushtetutës së Kosovës të cilin e përkrah edhe Amerika edhe BE-ja?”, ka shkruar Haradinaj.

Postimin e tij Haradinaj e ka përmbyllur duke i bërë thirrje Kurtit që t’i ndalë mashtrimet.

Me “Jepi përgjigjet e sakta, ndale mashtrimin!” e ka përfunduar postimin Haradinaj.

Reagimi i Haradinajt ka ardhur pas deklaratës së kryeministrit Kurti se nuk mund të ketë asociacion një etnik në Kosovë.

Se çka do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare edhe akt gjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një etnik”, kishte thënë Kurti me 1 qershor.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore