Lajme

Tre të vdekur dhe 8 të plagosur nga ushtria izraelite në bastisjen e Jenin-it, thonë palestinezët


©: Mohamad Torokman REUTERS

Tre palestinezë u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) të premten gjatë një bastisjeje në lagjen lindore të kampit të refugjatëve Jenin. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Sipas dëshmive, tre të rinjtë – Laith Abu Srur, Baraa Lahlouh dhe Yousef Salah – u qëlluan teksa ishin ulur në një makinë. Pas incidentit, qindra u mblodhën jashtë spitalit të Jenin-it.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se incidenti filloi kur trupat e Brigadës Golani u vunë nën zjarr teksa po kërkonin armë në qytet. Abu Srur, Lahlouh dhe Salah ishin në një automjet aty pranë kur hapën zjarr ndaj trupave, të cilët u përgjigjën dhe i vranë të tre në makinë.

Nga kontrolli i automjetit pas ngjarjes janë gjetur armë dhe municione luftarake. Zëdhënësi nuk konfirmoi se sa njerëz u vranë apo u plagosën gjatë përleshjes.

Pas një vale sulmesh terroriste që goditën Izraelin në tre muajt e fundit, ushtria izraelite ka kryer pothuajse operacione të përditshme në Bregun Perëndimor.

Operacionet ushtarake, të cilat janë fokusuar kryesisht në Jenin dhe fshatrat përreth, kanë lënë mbi 30 palestinezë të vrarë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Në fillim të këtij muaji dy palestinezë u vranë brenda 24 orëve gjatë përleshjeve me ushtrinë izraelite në dy incidente të veçanta në Bregun Perëndimor.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, Ayman Mahisan, 29 vjeç, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite gjatë përleshjeve në kampin e refugjatëve Dheisheh pranë Bethlehem-it.

Një ditë më parë, Bilal Awad Qabha u qëllua për vdekje në Ya’bad dhe një tjetër palestinez u plagos rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore