Lajme

“Trauma vazhdon, sepse ende s’ua kemi gjetur trupat”, mediumi francez kronikë për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë


Persona të zhdukur nga lufta e vitit 1999 në Kosovë

Mediumi britanik, DailyMail, ka publikuar një artikull të televizionit francez “France24”, kushtuar familjeve shqiptare dhe përjetimeve të tyre nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa fokus të veçantë i ka kushtuar trupave të pagjetur dhe të zhdukur gjatë asaj periudhe – mes tyre edhe historisë së familjes Çerkini.

“Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur lufta copëtoi Kosovën, por trauma e shkaktuar nga luftimet vazhdon për Bajram Çerkinin dhe të afërmit e tjerë të atyre që ende konsiderohen të zhdukur”, thuhet në artikull.

Ndërkaq, në intervistën për mediumin britanik, një nga anëtarët e kësaj familjeje – Bajram Çerkini, ka rrëfyer trishtimin e tij për djalin e humbur në luftë.

Bajram Çerkini

“Lufta nuk ka përfunduar ende në familjen time. Gruaja ime ende i dëgjon hapat dhe zërin e tij gjatë natës”, ka thënë ai duke iu referuar humbjes së djalit të tij, Reshatit.

Më tej, DailyMail, ka pasqyruar shifrat e të zhdukurve në luftën e vitit 1999 në Kosovë, teksa kanë theksuar se në shumë raste familjet kanë marrë vetëm fragmente eshtrash të kufomave të familjarëve të vrarë.

Pamje nga lufta e fundit në Kosovë – Masakra e Reçakut.

“Lufta e fundit e viteve 1990 midis forcave serbe dhe shqiptarëve etnikë la të vrarë 13 mijë persona dhe përfundoi vetëm pasi NATO ndërhyri. Mijëra të tjerë u zhdukën – shumë prej të cilëve u rrëmbyen gjatë periudhave të spastrimit etnik dhe më vonë u vranë, teksa trupat e vendosën në varre masive, puse uji ose të djegur”.

“Në vitet pas luftës, ekspertë të mjekësisë ligjore nga e gjithë bota shkuan në Kosovë në një përpjekje për të identifikuar mbetjet dhe kthimin e tyre tek familjet e tyre, si dhe për të dokumentuar krimet e mundshme të luftës .Por, në shumë raste, vetëm fragmente të vogla eshtrash u gjetën dhe iu dorëzuan familjeve”, shkruan DailyMail.

Por jo të gjithë trupat u gjetën, rreth 1 mijë e 625 trupa figurojnë të pagjetur zyrtarisht, bazuar në të dhënat e publikuara nga autoritetet kosovare.

Sipas DailyMail, fati i të pagjeturve është një nga shumë çështjet që pengon bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që kur kjo e para, shpalli pavarësinë në vitin 2008 – një masë që nuk u njoh kurrë zyrtarisht nga Beogradi.

Gëmimet për trupat e zhdukur të kosovarëve në Serbi.

“Zyrtarët e Kosovës vazhdojnë të kritikojnë Serbinë për zvarritjen e saj, shpesh duke i akuzuar zyrtarët e saj se refuzojnë të zbulojnë vendndodhjet e më shumë vendeve të varrimit”.

“Që nga fundi i luftës, rreth 1 mijë trupa të shqiptarëve të Kosovës janë zhvarrosur nga vendet në të gjithë Serbinë – duke përfshirë qindra sosh nga një varr masiv në një postë të njësisë speciale të policisë pranë Beogradit”, thuhet më tej.

Në lidhje me temën, ka folur edhe kryetari i Komitetit të Kosovës për personat e pagjetur, Andin Hoti, babai i të cilit mbetet akoma i pagjetur.

Andin Hoti – Kryetar i Komitetit për personat e pagjetur

“Duke u munduar të fshehin një krim, ata kanë kryer një tjetër”, ka thënë Hoti.

Tutje thuhet se, probleme të ngjashme kanë vazhduar edhe me Bosnjën fqinje, ku ekspertët ende po përpiqen të gjejnë më shumë varre masive pranë Srebrenicës, ku rreth 8 mijë burra dhe adoleshentë myslimanë u vranë nga forcat serbe.

Varr masiv i gjetur në Srebenicë – Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të gjetur varre masive. Ne jemi ende duke kërkuar për më shumë se 1 mijë njerëz”, tha Almasa Salihovic, një zëdhënëse për Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.

Mediumi britanik në artikullin kushtuar trupave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë ka prezantuar edhe historinë e Vesel Rukollit, i cili gjatë muajit tetor kishte pranuar lajmin se ishin gjetur eshtrat e babait dhe xhaxhait të tij.

Vesel Rukolli

“Në tetor, Vesel Rukolli u informua se eshtrat që i përkisnin babait dhe dajës së tij ishin nxjerrë nga një varr muaj më parë në Kizevak të Serbisë jugore dhe zbulimet erdhën pesë vjet pasi disa nga eshtrat e xhaxhait të tij ishin gjetur në një fshat tjetër në Serbi”.

“Xhaxhai i tij ishte vrarë në prill të vitit 1999 pasi forcat serbe masakruan rreth 40 persona në fshatin Rezallë të Kosovës. Ndërsa forcat serbe u larguan nga vendi i ngjarjes, ata përdorën një buldozer për të hequr trupat, duke copëtuar shumë nga viktimat e tyre”, shkruan DailyMail.

Artikulli përfundon duke shpalosur të vërtetat se si familja Rukolli u detyrua të shpërndante trupin e xhaxhait të tij për të kryer testet mjeko-ligjore përpara se ta varrosnin për herë të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore