Lajme

Tornadoja shkatërruese në Kentucky, Biden shpërndan fondin e emergjencës


Presidenti amerikan Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se qeveria do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar zonat qendrore të vendit të shkatërruara nga tornadot.

Biden ka nënshkruar një Deklaratë Federale të Katastrofës Emergjente, duke shpërndarë fonde për Kentucky-in – shtetin më të prekur.

Ai tha se stuhitë ishin ndër më të mëdhatë në historinë e SHBA-ve.

Të paktë 83 persona janë deklaruar të vdekur deri më tani në Kentucky-i nga stuhia e së premtes mbrëma, duke përfshirë dhjetëra në një fabrikë qirinjsh dhe numri i viktimave pritet të rritet mbi 100.

Ekipet e emergjencës po kërkojnë nëpër rrënojat e fabrikës, në qytetin Mayfield, e cila u godit drejtpërdrejt.

Më shumë se 40 njerëz janë shpëtuar nga rreth 110 punonjës në fabrikë, por guvernatori i Kentucky-it Andy Beshear deklaroi se do të ishte “një mrekulli” nëse dikush tjetër do të gjendej i gjallë.

Kushtet me të cilat përballen autoritetet janë jashtëzakonisht sfiduese, me stacionin e policisë në Mayfield të shkatërruar dhe pajisjet e zjarrfikësve të dëmtuara.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë.

Të paktën 12 njerëz vdiqën pasi tornadot shkaktuan kërdi në shtete të tjera, duke përfshirë gjashtë në një magazinë “Amazon” në Illinois.

Themeluesi i kompanisë, Jeff Bezos, tha se ishte “zemërthyer për humbjen” dhe premtoi mbështetje për komunitetin.

 

Fondet e emergjencës janë gjithashtu në dispozicion edhe për shtetet e tjera të prekura – Missouri, Arkansas, Illinois, Tennessee dhe Mississippi – nëse kishin nevojë.

Guvernatori Beshear ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kentucky-i. Ai tha se Mayfield dhe kudo përgjatë rrugës 227 milje (365 km) të tornados – pothuajse të gjitha në Kentucky-i – ishin shkatërruar.

Vdekje janë raportuar në disa qarqe, por humbja e jetëve në fabrikën Mayfield mund të tejkalojë atë të çdo ngjarje tornado në një vend të vetëm në historinë e shtetit.

Beshear tha se ishte një “situatë shumë e rëndë” në fabrikë, me vështirësitë e kërkimit nëpër ndërtesën e shembur të shoqëruara nga bateritë që rrjedhin lëng gërryes.

Incidente të tjera në Kentucky-i përfshinin një dalje të trenit nga shinat gjatë erërave ekstreme në Hopkins County.

Zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të shtetit Tennessee, Dean Flener, tha se tre persona kishin humbur jetën në veriperëndim të shtetit.

Në Arkansas humbën jetën dy persona – njëri prej tyre në një shtëpi pleqsh pasi u shemb pjesërisht. Një vdekje u konfirmua në Missouri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore