Sport

Tjetër skandal godet futbollin francez, Al-Khelaifi i përfshirë në shtantazh dhe zhvatje


Një tjetër skandal ka goditur futbollin francez pas atij të Federatës së Futbollit mbi abuzimet seksuale me lojtarët e mitur, apo trajneres që thuhet se ka detyruar lojtaret femra të kryejnë marrëdhënie seksuale për t’u thirrur në kombëtare.

Kësaj radhe në qendër të vëmendjes është numri një i klubit të PSG-së dhe Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA), Nasser Al-Khelaifi.

Gazeta “Liberation” raporton se presidenti i klubit nga kryeqyteti parizian është përfshirë në një rast shantazhi, abuzimi dhe zhvatjeje ndaj një biznesmeni franko-algjerian. Ky i fundit dyshohet se kishte informacione komprometuese për vetë Al-Khelaifi-n.

Tayeb B., ky është emri i sipërmarrësit në fjalë, i cili u arrestua më 13 janar 2020 në Katar dhe u burgos deri më 1 nëntor të po këtij viti.

Biznesmeni kishte pasur një material delikat në të cilin do të dilte emri i liderit të PSG-së si një nga ata persona të përfshirë në parregullsitë për caktimin e Kupës së Botës 2022 në Katar.

Franko-algjeriani, i nënshtruar një presioni të rëndë psikologjik, thuhet se u lirua vetëm pasi i dorëzoi dokumentet avokatëve të Al-Khelaifi përmes një marrëveshjeje konfidenciale.

Sipas dëshmisë për mediat franceze, arrestimi ka qenë i motivuar, vetëm dhe ekskluzivisht, “me urdhër të Emirit të Katarit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore