Përballje

Tirana – Partizani, e gjithë vëmendja te derbi i kryeqytetit


Mbrëmja e së hënës do të jetë speciale për futbollin shqiptar. Tani është gjithçka gati në “Air Albania Stadium” për një ndër sfidat më të ndjera të sezonit të Abissnet Superiores, Tirana – Partizani, ndeshje kjo e cila nuk vlen vetëm për tre pikë, por edhe për dominimin e kryeqytetit.

Në këtë kampionat ku akoma nuk ka skuadra që udhëheqin në pozicione të sigurta të renditjes por që ka dhuruar shumë ndeshje emocionuese, derbi ndërmjet Tiranës dhe Partizanit do të dhurojë sigurisht emocione të mëdha.

Tirana vjen në këtë përballje me një klasifikim më të mirë, të cilët pozicionohen në vendin e parë me 11 pikë, aq sa ka edhe Teuta e Kukësi, kurse Partizani e ka nisur këtë sezon larg pritshmërive, duke barazuar katër ndeshje dhe fituar një, në pesë takimet e para.

Trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, vjen në këtë sfidë më të gjithë lojtarët në dispozicion, ku nuk do të ketë asnjë mungesë.

Ndërsa, trajneri i Partizanit, Ilir Daja nuk do të ketë në dispozicion lojtarë të rëndësishëm në repartin e sulmit si: Lukas Cardozo, Tedi Cara e Ergys Kaçe, mungesa e të cilëve ka ndikuar shumë në këtë fillim kampionati, ku Partizani pa praninë e tyre, ka arritur të shënojë vetëm katër gola.

Derbi i kryeqytetit të Shqipërsië, do të fillojë në ora 19:45, në stadiumin “Air Albania”, ku pritet të jetë i stërmbushur me tifozë nga dyja skuadrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore