Lajme

Të vërteta apo deklarata boshe? – Pse Vuçiç asnjëherë nuk tregon cilat janë “4 shtete që e kanë tërhequr njohjen për Kosovën”?


Foto ilustrim nga gazeta serbe Danas

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e mban si “as nën mëngë” se janë katër shtete të reja që e kanë tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës, por asnjëherë nuk tregon se për çfarë shtetesh bëhet fjalë.

Ai është pyetur vazhdimisht se cilat janë këto shtetet, por po vazhdimisht ka refuzuar të përgjigjet, duke deklaruar se do t’i bëjë publik emrat “në një moment tjetër” dhe duke shtuar se tashmë janë afër “edhe shtetit të pestë që do ta tërheq njohjen”.

Megjithatë, në vend të ndonjë treguesi se cilat shtete e paskan tërhequr njohjen, lidershipi shtetëror i Serbisë po takohet me përfaqësuesit e atyre vendeve që e kanë deklaruar moti përkrahjen për Serbinë, pasi që fillimisht kishin njohur Kosovën.

Vuçiç u takua edhe me kryeministrin e Republikës Demokratike të Sao Tome dhe Principe, Georges Boma Jesus dhe e falënderoi “veçanërisht për mbështetjen parimore për sovranitetin dhe integritetin territorial”, që ky shtet më i vogël afrikan i ofron Serbisë.

Përkatësisht, Sao Tome dhe Principe e njohën pavarësinë e Kosovës në vitin 2012, por për shkak të ndryshimit të qeverisë dhe situatës jostabile politike në atë vend, ky vendim u anulua tashmë në vitin 2013, dhe Sao Tome dhe Principe iu bashkuan edhe një herë radhëve të shteteve të ashtuquajtura “çnjohëse”.

Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, në fillim të qershorit u takua me zëvendëspresidentin e Guinesë Ekuatoriale, Tedor Obiang Ngemo Mange, vetëm për të dërguar një mesazh “fitimtar” se vendi nuk po ndryshon qëndrimin e tij për njohjen e Kosovës.

Edhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ishte më aktivi në përpjekjet diplomatike për tërheqjen e njohjes së Kosovës, së fundi tha se fushata do të vazhdojë, si një “përgjigje logjike për faktin se Kosova nuk e respekton Marrëveshjen e Uashingtonit”.

“Diplomacia e sheqerit” – Cilave shtete iu ofroi Serbia sheqer për ta çnjohur Kosovën?

Marrëveshje që ishte një memorandum njëvjeçar që kërkonte nga Kosova të mos lobojë për njohje të reja dhe anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare dhe gjithashtu obligonte Serbinë që të mos e vazhdojë fushatën e çnjohjeve.

Por, Serbia kishte lobuar po njëjtë kundër shtetit të Kosovës dhe në momentin kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pas përfundimit të memorandumit, filluan ankesat se nuk po respektohet marrëveshja.

Gazeta serbe Danas ka shkruar një artikull të gjatë duke pyetur se cilat qenkan këto shtete që e kanë çnjohur Kosovën e liderët serbë nuk po i bëjnë publike.

Teksti në fakt vë në pikëpyetje vërtetësinë e këtyre konstatimeve.

Në Kosovë në anën tjetër nuk kanë bërë të ditur nëse ka ndonjë shtete që i ka njoftuar për tërheqje të njohjes. E pyetur për këtë çështje edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ajo ka deklaruar se janë në dijeni për lobin e madh që po bën Serbia, porse s’kanë pasur rezultat.

Sipas shumë autorëve nga e drejta ndërkombëtare akti i çnjohjes së një shteti nuk ekziston fare, sepse s’mund të çnjohësh diçka që ke njohur më herët. Por, praktikisht, shtetet mund të ngrinë raportet me njëra tjetrën dhe në këtë mënyrë ndalohen shkëmbimet mes dy vendeve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore