Lajme

Tahiri, Kurti: Ku e merr guximin t’i thuash naive politikës së Biden-it


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës e ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se si mund të ketë guxim ta quajë naive politikën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, kjo pas deklaratave të Kurtit ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku kritikat e tij për veprimet në Veri i quajti “naive dhe të gabuara”.

“Ku e merr guximin kryeministri i Kosvës me quajt naive politikën e jashtme të presidentit Biden. Ky është kryeministër i të gjithëve, ky na përfaqëson të gjithëve, nuk është thjesht Albin Kurti i opozitës”, tha Tahiri.

Tahiri theksoi se raportet e dëmtuara nga Kurti në mes të Kosovës dhe ShBA-së, janë bërë temë “në të gjithë botën”, duke shtuar se “sot Fox News raportonte” për këtë dëmtim të raporteve.

“I ki lajmet në tërë botën për dëmtimin e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA. Pse? Sepse Kosova po e sfidon ShBA-në në çështjet e sigurisë, aty ku është më e ndjeshme”, shtoi ai.

Tutje, shefi i grupit parlamentar të PDK-së potencoi se në situatën ku gjendet tani Kosova, nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti në raportet me ndërkombëtarët, opozita do të vazhdoi të marrë të gjitha masat që të mos ketë normalitet.

“Si opozitë do të vazhdojmë të punojmë që të mos ketë normalitet, përderisa ka sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pohoi ai, duke shtuar se përjashtimi i Kosovës nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender 23”, siç thotë ai “është e papranueshme”.

Ndërkaq, ai theksoi se Kurti flet për bandat në që janë në Veri të Kosovës, por shton se ai nuk merr veprime për t’i luftuar ato.

“Kryeministri i Kosovës kur flet për banda kriminale që janë në Veri, ta cilat vazhdojnë me qenë në Veri dhe nuk guxon me marrë asnjë veprim ndaj tyre, kjo tregon logjiken e të dobëtit, nuk guxon me ra kryeministri në këtë gjendje, kur e din kush e sulmon KFOR-in dhe nuk bën asgjë vetëm iu përmend emrat”, elaburoi Tahiri duke iu referuar fjalimit të Kurtit në Kuvend.

“Sovranitetin e kemi kur realisht e çliron prej bandave, kjo mënyre është e gabuar, është e dëmshme dhe e qon një sinjal te dëmshëm, e dimë kush jeni, e dinë çfarë banda jeni, por nuk guxojmë të ndërmarrim asgjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore