Lajme

Szunyog kërkon trajtim të barabartë për fëmijët


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve ka kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë fëmijët.

“Të gjithë fëmijët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, raca, gjinia, feja, nevojat dhe aftësitë apo prejardhja sociale, duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha Szunyog.

Ai konsideron se kjo është akoma më e rëndësishme kur flasim për pjesën e arsimit.

“Arsimimi cilësor i fëmijëve me nevoja të veçanta dhe aftësi të ndryshme mbetet sfidë për të gjitha sistemet arsimore që synojnë të ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët, përfshirë edhe Kosovën”.

“Në përputhje me dispozitat pozitive të Ligjit për Arsimin në Komunat e Kosovës, është me rëndësi vendimtare të vazhdohet me ndërtimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës dhe jo-diskriminues, ku të gjithë fëmijëve u jepen mundësi të njëjta për t’u zhvilluar, për të çmuar identitetin e tyre në një mjedis shumë-etnik dhe për t’u bërë anëtarë të integruar plotësisht në shoqëri”, tha Szunyog.

Ilustrim.

Madje, ai ka theksuar disa nga komunitetet të cilët vazhdojnë të trajtohen si të pabarabartë.

“Është për keqardhje që vazhdojmë të jemi dëshmitarë të ndarjes sistematike të fëmijëve në disa institucione arsimore në Kosovë, gjë e cila më së shumti prek fëmijët nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian të Kosovës”.

Ndryshe, që nga viti 2007 deri në vitin 2022, BE-ja ka investuar më shumë se 85 milionë euro në përmirësimin e cilësisë së arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë në infrastrukturën arsimore, në mbështetje për arsimin e fëmijëve nga komunitet jo-shumicë, në trajnimin e mësimdhënësve dhe në arsimin profesional.

Ndër të tjera, mes viteve 2014 dhe 2021, Kosova kishte përfituar më shumë se 12,5 milionë euro përmes programit të BE-së “ERASMUS+” që ofron mundësi mobiliteti dhe bashkëpunimi në arsimin e lartë dhe aftësimin profesional të të rriturve dhe trajnim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore