Lajme

Sveçla: Provokimet në Veri të nxitura nga Beogradi


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në fjalën e tij në parlamentin e Kosovës duke folur për sukseset e dikasterit që ai e drejton – është fokusuar më së shumti për punën e bërë në Veri të Kosovës.

Sveçla potencoi se Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë, dhe po ashtu tha se trazirat në Veri janë të nxitura po ashtu nga Beogradi.

“Aspirata dhe qasja e Serbisë, karshi Kosovës është dëshmuar se nuk ka ndryshuar. Provokimet dhe kërcënimet në Veri të vendit të orkestruar dhe mbështetura nga Beogradi, me qëllim të cenimit të sigurisë tonë dhe pengimit të shtrirjes së ligjshmërisë në të gjithë vendin padallim”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm u mburr për punën e bërë në Veri të Kosovës, duke iu referuar ndalimit që i është bërë mbajtjes së zgjedhjeve dhe referendumit të Serbisë, dhe po ashtu ai konsideroj që “me Serbinë jemi ballafaquar si dy shtete”.

“Kemi ndaluar mbajtjen e referendumit dhe zgjedhjeve të Serbisë në vendin tonë, kemi vendosur reciprocitet në regjimin e stikersave, kemi mundësuar regjistrimin me targa RKS, duke përfshirë lehtësira administrative dhe financiare, ndërsa targat ilegale të ish-regjimit të Millosheviçit po dorëzohen dhe po zëvendësohen me targa legale të Kosovës”, shtoi Sveçla.

Po ashtu, ai vazhdoi lëvdatat për punën e tij edhe për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike në Veri, për të cilën tha se më parë ka pasur qëllime të tjera.

“Deri vonë vija më e gjatë kufitare është tentuar të mbrohet dhe sigurohet më një zyrë dhe kapacitete minimale njerëzore. Kemi ngritur dhe zgjeruar kapacitetet tona logjistike në zonën kryesore të vendit tonë, e për të cilën dikur diskutohej për shkëmbim territorial e jo për zhvillim”.

Stacionet policore të ndërtuara në Veri dhe njësitet e krijuara, sipas tij janë garanci të luftës ndaj të gjitha dukurive negative në atë pjesë të territorit të Kosovës.

“Tani aty janë shtatë stacione policore, dhe njësiti i ri i krijuar për ndërhyrje të shpejtë të kufirit janë garantues të luftimit të kontrabandës dhe çdo ilegaliteti tjetër dhe mbrojtjen e qytetarëve, si dhe të territorit tonë”.

Ndërsa, Sveçla foli edhe për dorëheqjet e zyrtarëve policorë të komunitetit serb, të cilat i konsiderojë të orkestruara nga Serbia, por prapë se prapë ai vlerëson që nuk ka munguar asnjë shërbim.

“Me shtytje të Beogradit jemi ballafaquar me dorëheqjet e 446 policëve të Kosovës të komunitetit serb. Pavarësisht kësaj nuk ka pasur vakum institucional, mungesë të prezencës policore, apo mungesë të ofrimit të sigurisë atje”.

Ai foli edhe për zëvendësimin e këtyre policëve të dorëhequr, ku tha se “është hapur procesi i rekrutimit, i cili pritet të finalizohet shumë shpejt”, por nuk përcaktojë ndonjë afat kohor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore