Lajme

Sulmi kibernetik ndaj institucioneve ukrainase, më i madhi në historinë e vendit


Në Ukrainë, një zyrtar i sigurisë kibernetike ka thënë se sulmi kibernetik i së martës së 15 shkurtit ishte sulmi më i madh i këtij lloji në historinë e vendit dhe kishte “gjurmë të shërbimeve të huaja të inteligjencës”.

Sulmi u krye kundër faqeve të internetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë së Ukrainës, si dhe ndërfaqeve të dy bankave më të mëdha të vendit.

Mykhailo Fedorov, ministri i transformimit digjital të Ukrainës, ka treguar se “vektorët e sulmeve ishin organizuar nga vende të ndryshme”.

“Është e qartë se ishte përgatitur paraprakisht dhe qëllimi kryesor është të destabilizojë, të hapi panik, të bëjë gjithçka për të krijuar një kaos të caktuar në veprimet e ukrainasve në vendin tonë”, ka vijuar ai.

Gjithashtu zyrtarët janë të shqetësuar se Rusia mund të kërkojë të destabilizojë vendin në mënyra të tjera, duke përfshirë luftën kibernetike.

Faqet e shënjestruara u goditën nga një sulm i shpërndarë i mohimit të shërbimit gjatë të cilit hacker-at vërshojnë serverët që ndërpresin një faqe interneti derisa ajo të mbingarkohet dhe të mbyllet.

Teksa hetimi i plotë është duke u zhvilluar, të gjitha shenjat treguan për Rusinë, ka zbuluar Ilya Vityuk, shefi i departamentit të sigurisë kibernetike të Agjencisë së Inteligjencës së Ukrainës.

“E dimë se, për fat të keq, i vetmi vend që është i interesuar për sulme të tilla ndaj vendit tonë, veçanërisht në sfondin e panikut masiv për një pushtim të mundshëm ushtarak është Rusia”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se “sulme të tilla zakonisht kryhen nga vende… kanë nevojë për infrastrukturë”.

Por Moska e ka mohuar përgjegjësinë mbi sulmin, tregon e përditshmja “The New York Times”.

“Nuk dimë asgjë për këtë, por nuk jemi të befasuar që Ukraina po vazhdon të fajësojë Rusinë për gjithçka”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri S. Peskov.

Sipas Vityuk, sulmi kishte ngjashmëri me një sulm të mesit të janarit, në të cilin hacker-at rrëzuan dhjetëra faqe të internetit të qeverisë ukrainase, duke përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Kurse lidhur me bankat, klientët e PrivatBank dhe Oschadbank filluan të ankoheshin të martën për vështirësitë në përdorimin e makinerive të arkës dhe aplikacioneve të telefonave celularë.

Bankat e konfirmuan sulmin dhe siguruan që fondet në llogaritë e përdoruesve nuk ishin prekur.

Pavlo Kukhta, një këshilltar i ministrit të Energjisë, ka thënë se mbase hacker-at po përgatiteshin për një sulm më të madh, i cili mund të synonte rrjetin e energjisë “të cenueshëm” të vendit.

“Ata po trokasin dhe po kërkojnë dobësi”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore