Lajme

“Struktura e regjimit të diktaturës është ajo e krimit të organizuar”


“Shumë njerëz pyesin pse Maduro (Nicolas) – presidenti i Venezuelës dhe diktatura kanë zgjatur kaq gjatë. Një arsye është se struktura e diktaturës është ajo e krimit të organizuar. Arsyeja tjetër është se merr mbështetje shumë të rëndësishme nga vendet e fuqishme – Kina, Rusia, Turqia, Irani dhe Kuba”.

Leopoldo Lopez, kritiku i Maduro-s, rrëfehet kështu për të përditshmen britanike “Financial Times” (FT).

Dikur, i burgosuri politik më i famshëm i Venezuelës, ai është i njohur për arratisjen nga arresti shtëpiak dhe daljen jashtë një baze ushtarake të Karakasit – kryeqytetit të vendit.

Kjo, në përpjekje për të filluar një kryengritje kundër presidentit të majtë të vendit, Nicolas Maduro.

Por rebelimi i vitit 2019 dështoi dhe Leopoldo López u detyrua të internohej në Madrid.

Kritiku i zëshëm i regjimit po përpiqet të mbledhë një opozitë të ndarë dhe të demoralizuar venezueliane.

Gjatë kësaj jave pritet raundi paraprak i negociatave të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, me të dërguarit e Maduros në Meksikë.

Opozita shpreson të dakordësohet për rivendosjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Venezuelë.

“Ka pasur shumë episode negociatash të frustruara nga moskokëçarja e diktaturës”, tha Lopez për Financial Times.

Bisedimet në Meksikë paraqitën një mundësi “të ngushtë” për të rënë dakord për një agjendë për trajtimin e emergjencës humanitare të Venezuelës dhe një orar elektoral, tha López.

Maduro ka drejtuar një kolaps të rreth tre të katërtave të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Venezuelës që nga marrja e pushtetit në vitin 2013.

Largimi i më shumë se 5 milionë njerëz nga vendi, ka krijuar krizën më të keqe të refugjatëve në kontinentet amerikane.

FT-ja shkruan se në rininë e tij, karizma dhe pamja prej ylli kinemaje duket se i paraprinë karrierës presidenciale të Lopez-it.

Në moshën 29-vjeçare, ai u zgjodh kryetar i një lagjeje të Karakas-it dhe bashkëthemeloi një parti të qendrës së djathtë.

Ndërsa popullariteti i tij u rrit, socialistët qeverisës të Venezuelës lëvizën për ta shtypur atë. Ai u arrestua në vitin 2014 dhe u dënua me më shumë se 13 vjet burg për nxitje të dhunës, një akuzë që Bashkimi Evropian (BE) dhe organizatat e të drejtave të njeriut thanë se ishte e motivuar politikisht.

Tanimë 50-vjeçar, López ankohet për rritjen globale të autoritarizmit dhe shton se përhapja globale e tregjeve të lira dhe demokracisë, për të cilat ai ishte aq i ngazëllyer, kur studionte në Harvard në vitet 1990, “nuk ndodhi”.

Moska dhe Pekini i kanë dhënë hua regjimit të Maduros. Kina, Rusia dhe Irani kanë investuar në industrinë e naftës së vendit. Turqia është një kanal për shitjen e arit dhe Kuba ofron këshilltarë të inteligjencës.

Opozita kishte marrë “mbështetje të konsiderueshme, por asgjë të krahasueshme me atë që ka marrë Maduro”, tha López.

Reputacioni i López-it mori një goditje vitin e kaluar. Kjo, kur qeveria Maduro prishi atë që ajo tha se ishte një komplot nga Silvercorp.

Kompania private e sigurisë me bazë në Florida, do të zbarkonte dy mercenarë në dy anije me qëllim për të kapur një aeroport.

I gjithë ky organizim u supozua se po stisej nga opozita, në përpjekje për të rrëzuar presidentin.

López, i cili mohon përfshirjen, tha se i gjithë operacioni ishte i rremë dhe i krijuar nga regjimi për të njollosur opozitën.

Tani ai përballet me arrestimin nëse kthehet në atdheun e tij dhe qeveria “Maduro” ka kërkuar ekstradimin e tij nga Spanja tri herë.

Pavarësisht pengesave, López mbetet optimist. Opozita do të bashkohej dhe do të fitonte zgjedhjet e lira, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore