Shqipëria

Statuja e diktatorit të rënë, në stallë


E mbështjellë me kashtë dhe e rënë në shpinë mbi dyshemenë e një stalle. Kështu qëndron statuja e diktatorit dikur të plotfuqishëm të Shqipërisë.

Qartazi duket fytyra e tij e njollosur me glasa zogjsh teksa sytë i shohin nga çatia e varur.

Një indinjatë e fundme kjo për një udhëheqës, vështrimi i të cilit mbante në fre miliona vetë të tmerruar për katër dekada radhazi.

Me këto fjalë ka zgjedhur ta përshkruajë gazeta, “The Independent”, statujën e Enver Hoxhës, duke e emëruar atë si komunistin e frikshëm të Evropës që me kultin e tij e la kombin të varfër e të mbushur me statuja madhështore, buste mermeri dhe portrete gjigante në nder të vetes.

30 vjet nga rënia e sistemit të tij brutal, kulti i bronztë ka gjetur strehë në një fshat të largët malor në një stallë të atjeshme, ende i vëzhguar ditë e natë nga një e moshuar shqiptare dhe e bija.

“Në kohën e tij, ai ishte një njeri i mirë, por askush nuk e do më atë”, ka thënë 80-vjeçarja Sabire Plaku, “unë e kam mbrojtur atë me gjithë forcën time”.

Sabire Plaku duke mbuluar statujën me kashtë

Gati-gati e shurdhër dhe pjesërisht e verbër, ajo ende shkon çdo ditë nga shtëpia e saj në Labinot-Mal në malet e Shqipërisë qendrore drejt stallës aty pranë për t’u siguruar që ish-diktatori i urryer është i sigurt.

Edhe pse jo e dashuruar me politikat e Hoxhës – një përzierje toksike e paranojës staliniste dhe represionit, me izolimin dhe mjerimin ekonomik të Koresë së Veriut – Plaku ende ndjen për detyrë ta mbikëqyrë atë që është thuajse statuja e fundit e atij burri që e la fshatin malor të pa gjendshëm në hartë.

Pikërisht në Labinot-Mal, shkruan gazeta, Hoxha mori për herë të parë drejtimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kryesoi themelimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943. Ajo forcë guerile, e ndihmuar nga Britania dhe partizanët komunistë nga Jugosllavia fqinje, ndihmuan në mposhtjen e fashistëve pushtues italianë dhe më pas nazistëve.

Pasi lufte, ai mori kontrollin e Shqipërisë dhe filloi të ekzekutonte shokët e kohës së luftës. Labinot-Mal u bë një vend pelegrinazhi, i cili siguroi që të shmangte të paktën më të keqen e privimit në vend nga sundimi i tij 41-vjeçar.

Asokohe, fshati siguroi një klinikë, energji elektrike dhe një muze. Gjithashtu siguroi edhe një statujë prej bronzi 10 metra të gjatë të “shokut suprem”.

Enver Hoxha gjatë një takimi politik

Muzeu, i vendosur në një vilë madhështore të ndërtuar para luftës si një tërheqje verore dhe më pas e konfiskuar nga komunistët e Hoxhës, u mbyll dekada më parë, së bashku me klinikën dhe fermën kolektive.

Agim Qoku, një historian vendas, ka treguar se ishte i lumtur me tërheqjen e Shqipërisë nga politikat që në kohën e Hoxhës, e bënë vendin më të shtypurin dhe të prapambeturin e Evropës. Megjithatë, mendon se muzeu duhet të ringrihet, si një haraç jo për diktatorin, por për luftën e Shqipërisë gjatë luftës kundër fashistëve të huaj.

Ndërkohë, stalla ku shtrihet statuja e Hoxhës është në anën e muzeut të rënë. Është e vetmja pjesë e vilës që falë Plakut dhe vajzës së saj nuk është plaçkitur.

Për të gjitha agonitë e sundimit të Hoxhës – kur Shqipëria u prish jo vetëm me perëndimin, por edhe me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe përfundimisht edhe Kinën, të cilat diktatori i Ballkanit i konsideroi si shumë liberale – disa fshatarë ende e mbajnë mend atë me nostalgji.

Sabire Plaku mbyll derën e bodrumit që strehon statujën

“The Independent” shkruan se Shqipëria, ende një nga vendet më të varfra të Evropës, nën sundimin e Hoxhës ishte mes trupave të gjakosur të njerëzve deri sa studentët protestues rrëzuan një statujë 30 metra të gjatë të tij në qendër të Tiranës, në shkurt 1991.

Një shembull ky i ndjekur shpejt në të gjithë qytetet e vendit.

Në dekadën në vijim, shokët e Hoxhës, përfshirë vejushën e tij, u gjykuan dhe një komunizëm dogmatik kapitalist erdhi.

Thuajse një e katërta e popullsisë emigroi sepse njerëzit mund të largoheshin për herë të parë për të gjetur punë. Më parë, përpjekja për të lënë Shqipërinë ishte një krim i rëndë i dënueshëm me vdekje.

Ruzhdi Balla, pronari 42-vjeçar i një kafeneje të vogël që është biznesi i vetëm në Labinot-Mal, ka kujtuar vitin 1991, kur autoritetet në qytetin më të afërt dërguan një vinç, të shoqëruar nga makinat e policisë, për të hequr një statujë të Hoxhës para muzeut.

Punëtorët e ngritën statujën në ajër dhe më pas u tërhoqën nga tmerri kur një gjarpër i madh i zi u shfaq nën këmbët e tij.

Prej asaj kohe, katër nga tetë vëllezërit dhe motrat e Ballës janë shpërngulur në Greqi për të gjetur punë, ndërsa dy të tjerë janë larguar nga fshati, i cili ka disa qindra njerëz në pjesë të tjera të Shqipërisë.

Për gazetën, banorët nuk pajtohen nëse Hoxha mori atë që meritonte kur u rrëzua, por ka një marrëveshje të gjerë se heqja e statujës së tij ishte hera e fundit që zyrtarët qeveritarë i kushtuan shumë vëmendje fshatit të tyre.

“Le ta kthejmë përsëri”, ka thënë vëllai më i madh i pronarit të kafenesë, Islam Balla. “Ekipet televizive do të vijnë dhe do të na filmojnë. Ndoshta atëherë bota do të kujtojë se ne ende ekzistojmë”.

Megjithatë, ai ka thënë se përpos gabimeve të shumta, diktatori të paktën u kujdes për Labinot-Malin, duke shkuar atje në vitin 1968 për zbulimin e të ngjashmëve së tij prej bronzi. “Ishte një ditë vërtet spektakolare”, kujton ai duke sjellë ndërmend festimet. “Ne nuk kemi parë asgjë të tillë që nga ajo kohë”.

I moshuari Balla, tregon se vizitorët e vetëm sot, janë disa “fanatikë” që vijnë një herë në vit për të vënë një kurorë në bazën e piedestalit të statujës së rrëzuar.

Qoku, i cili është mësues shkolle, ka treguar se zona ka qenë gjithmonë një botë e veçuar, duke iu nënshtruar Perandorisë Osmane shumë kohë pasi pjesa tjetër e Shqipërisë ishte dorëzuar, dhe duke iu rezistuar nazistëve me aq zell saqë zona humbi më shumë luftëtarë për frymë se kudo tjetër në vend.

Por këto zakone të mrekullueshme, është shprehur ai, e kanë vënë Labinot-Malin në kundërshtim me frymën e kohës, të cilat dominohen nga një refuzim i Hoxhës dhe gjithçkaje për të cilën ai qëndronte.

Ndërkaq, “The Independent” shkruan se statuja e vetme në një shfaqje publike e Hoxhës gjendet në Tiranë me bustin e mermertë, hundën të thyer dhe fytyrën e shpërfytyruar. Ajo qëndron në pjesën e pasme të Galerisë Kombëtare të Artit, pranë një muzeu nëntokësor që detajon tmerret e policisë sekrete të Hoxhës, Sigurimit.

Enver Hoxha duke votuar në nëntor 1978

Nga ana tjetër, Plaku ka ravijëzuar se ajo nuk ka dëshirë të shohë një udhëheqës tjetër si ai. Por që ndjen përgjegjësi ndaj së kaluarës.

Ajo është e shqetësuar se hajdutët mund ta vjedhin statujën prej bronzi dhe ta shkrijnë atë për skrap. Dhe se me përkeqësimin e shëndetit të saj, ajo ka treguar se i mbetet vajzës 66-vjeçare, Fatush Balla, ta mbrojë atë.

“Unë e kam kryer detyrën time”, i ka pëshpëritur Plaku vajzës së saj teksa u ulën së bashku në buzë të kopshtit të tyre, pranë një kumbulle. “Tani është radha jote ta ruash atë”.

Kështu e bija, e cila është kthyer nga Greqia shtatë vjet më parë për t’u kujdesur për nënën e saj, tashmë ka marrë përsipër pjesën më të madhe të punës.

“The Independent” tregon se ajo viziton rregullisht stallën për t’u siguruar që askush nuk e ka prishur mbulesën e kashtës dhe dëbon çdo vizitor për të cilin dyshon se ka qëllim të keq, duke kërcënuar se do ta qëllojë nëse hyn në stallë pa miratimin e saj.

“Ne e kemi mbrojtur atë për 30 vjet, por askush nuk na ka dhënë asgjë”, ka thënë e bija. “Nuk më intereson politika, thjesht dua një jetë të mirë për veten dhe nënën time”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore