Lajme

Sretena Bojoviç e demanton ministrin Krasniqi: S’jam emëruar drejtoreshë e Arsimit në Leposaviq


Komuna e Leposaviqit

Sretena Bojoviç, e ka mohuar se është emëruar drejtoresh e Arsimit në Komunën e Leposaviqit, siç kishte njoftuar më 16 qershor ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Unë nuk jam drejtore në komunën e Leposaviqit, kam pasur ofertë, por nuk e kam pranuar”, tha ajo për mediumin serb Kossev.

Por, ajo ka konfirmuar se më 6 qershor ka marrë ofertë konkretisht për pozitën e drejtoreshës së Arsimit.

“Unë po mendoja se çfarë do të bëja, por hoqa dorë dhe këtë e dinë të gjithë. Unë nuk kam nënshkruar asgjë”, theksoi Bojoviç.

Sretena shprehet se një vendim të tillë e ka marrë për “arsye personale dhe morale”, por gjithashtu thotë se tani nuk është “koha e duhur” për një gjë të tillë.

“Nuk kam marrë e as nënshkruar asnjë vendim për asnjë vend pune, as nuk kam pasur dhe as tani nuk kam të hyra nga buxheti i Kosovës”, ka nënvizuar ajo.

Ndryshe, Krasniqi pasi kishte vizituar kryetarin e ri të Leposaviqit, Lulzim Hetemin, në profilin e tij në Facebook ka konfirmuar se kanë folur për ngjarjet në komunë, por edhe se Hetemi “e ka informuar për vendimet e fundit që ka marrë”.

“Presidenti Hetemi vazhdoi me kompletimin e kabinetit të tij, si rrjedhojë emëroi drejtorë në repartet përkatëse: Sretena Bojoviç, Angjela Simiç, Valjton Peci dhe Arjeta Tahiri”, pati shkruar Krasniqi.

Ndërsa të martën e 4 korrikut, Krasniqi pas takimit me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, ka thënë se e ka informuar atë për vendimin e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetimi për emërimin e katër drejtorëve serbë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Krasniqi ka bërë të ditur emrat e drejtorëve që do të jenë pjesë e kabintetit të kryetarit të Leposaviqit.

“E informova për krijimin e mundësive për qytetarët nga komuniteti serb si dhe biseduam edhe për inkuadrimin e serbëve lokal në qeverisjen lokale me ç’rast e informova për vendimin e fundit të Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemit për emërimin e katër drejtorëve të tjerë”.

“Nga sot, Violeta Sakic, Nikola Radomirovic, Nenad Radosavljevic dhe Miroslav Minic do të jenë pjesë e kabinetit të Kryetarit Hetemi”, ka shkruar Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore