Lajme

Somali – pas 30 vjetësh – sërish një shfaqje në teatër


Gatty Images

Për 30 vjet, Somalia kishte pritur një shfaqje në teatër. Ngjarja u mbajt në Teatrin Kombëtar të Somalisë, njё objekt historik që pasqyron trazirat e kombit tё Bririt të Afrikës.

Pjesëmarrësit duhet të kalonin nëpër disa pika kontrolli të sigurisë, para se të futeshin në teatër, brenda një kompleksi që përfshin pallatin presidencial dhe parlamentin.

I shënjestruar nga kamikazët vetëvrasës dhe i përdorur si bazë nga komandantët e luftës, deri të mërkurën, teatri nuk kishte shfaqur kurrë një film somalez.

“Një natë historike për popullin somalez, qё tregon se si shpresat janë ringjallur pas kaq viteve tё sfidave”, tha drejtori i teatrit, Abdikadir Abdi Yusuf, para shfaqjes.

Abdi Yusuf bёri me dije gjithashtu se “platforma do tё ofrojё njё mundёsi pёr kantautorёt somaleze, tregimtarёt, regjisorёt e filmave dhe aktorёt pёr tё prezantuar hapur talentin e tyre”.

Nё programin e mbrëmjes do tё shfaqen dy filma të shkurtër të regjisorit somalez IBrahim CM, “Hoos” dhe “Date from Hell”, me bileta të shitura dhjetë dollarë secila.

Kryeqyteti i vendit, Mogadishu, ishte shtëpia e shumë sallave të kinemasë gjatë lulëzimit të tij kulturor, teksa Teatri Kombëtar u ndërtua nga inxhinierët kinezë në vitin 1967, si dhuratë nga ish-udhëheqësi i Kinës, Mao Ce Dun.

Megjithatë, qyteti bregdetar ka qëndruar në heshtje, pasi lufta civile shpërtheu në vitin 1991.

Komandantët e saj e përdorën teatrin si një bazë ushtarake dhe ndërtesa ka qenë e shkatërruar. Ajo u rihap në vitin 2012, por u hodh në erë nga xhihadistët al-Shabaab, dy javë më vonë.

Grupi islamik i lidhur me Al-Qaida-n kryen sulme të rregullta në Mogadishu, pasi ata e konsiderojnë argëtimin si diçka djallёzore.

Pavarësisht se xhihadistët u dëbuan nga Mogadishu një dekadë më parë, vazhdojnë të ruajnë ende kontrollin e zonave të fshatit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore