Zgjedhjet në Shqipëri

Socialistët evropianë, letër urimi Edi Ramës


Kryeministri Edi Rama ka marrë një urim nga presidenti i Partisë së Socialistëve Evropianë (PES), Sergei Stanishev.

“Në emër të familjes së PES-it, më lejoni t’iu uroj për fitoren e partisë suaj të dielën”, shkruhet në urim.

Sipas Stanishev-it, pavarësisht sfidave të mëdha të paraqitura nga Covid-19, Shqipëria arriti të organizonte zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Gjithë këto, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

“Duke parë rezultatin pozitiv, vullneti i popullit është i qartë. Qytetarët tuaj dëshirojnë që ju të vazhdoni rrugën drejt Evropës dhe implementimin e programit tuaj Social-Demokrat”.

Ndër të tjera, në letër theksohet se mbështetja ndaj rrugës evropiane të Shqipërisë, nuk do të mungojë.

“Qeveria juaj duhet të ndjekë reformat e duhura për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për qytetarët tuaj. Kështu, duhet të vazhdojë rruga drejt anëtarësimit në BE. Do t’ju mbështesim për të hapur Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe negociatat tuaj për aderim në union”.

Në mbyllje, Stanishev ka nënshkruar, duke shpresuar në një takim të ardhshëm me kryeministrin Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore