Lajme

S’ndalet Vulin, tani thotë se masakra e Reçakut u sajua nga Walker


Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, në një intervistë për RTV Prva ka thënë se masakra e Reçakut është sajuar nga ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

“Nuk diskutohet që Walker dhe njerëzit e tij bënë dokumentacion të plotë dhe të rremë për Reçakun. Ata fabrikuan historinë e masakrës së civilëve nga lufta kundër UÇK-së”, tha Vulin.

William Walker në Reçak, pas Masakrës

“Kur filluan bombardimet, NATO-ja goditi postën komanduese të armatës sonë të tretë në Kurshumli me një saktësi që është e pamundur pa lokalizues, të cilët padyshim ishin vendosur nga Walker dhe ata që ishin me të disa ditë më parë në kazermat në Kurshumli”, shtoi ai.

Ai vlerësoi se në perëndim s’dëgjohet e vërteta nga Serbia, derisa e ka kritikuar Bashkimin Evropian dhe SHBA-n kinse po heshtin kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, flet për Shqipërinë e Madhe.

“Gjaku i fëmijëve tanë që kanë vdekur gjatë agresionit të NATO-s është në duart e atyre që kanë gënjyer për Reçakun, është interesant fakti që BE-ja dhe SHBA-ja reaguan kur thashë se Raçaku është një gënjeshtër e madhe, por heshtën kur Kurti foli për Shqipërinë e Madhe.

Më 10 dhjetor, Vulin ka vizituar ekipin i cili po xhiron filmin për ngjarjet në Reçak në janar të vitit 1999, si pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës”.

Masakrën në fshatin Reçak apo ndryshe siç e ka quajtur ai “masakra e supozuar” e shqiptarëve e cila shërbeu si shkak në përgjigjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ishte “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

Në vizitën që Vulin bëri në lokacionin në rrethinën e Nishit, ku është realizuar filmi për ngjarjet në fshatin Reçak në janar të vitit 1999, Vulin e quajti “një fyerje te madhe për mbarë njerëzimin”.

Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi dhe Radio-Televizioni i Serbisë së bashku po prodhojnë një seri prej gjashtë dokumentarësh “Dosja e Kosovës” që trajton kronologjinë e ngjarjeve nga viti 1998 deri në vitin 2001.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore