Lajme

Sllovenia dhe Bullgaria diskutojnë mbi heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, shteti i të cilit mban edhe presidencën e Bashkimit Evropian (BE), u takua me homologun e tij bullgar Rumen Radev, të enjten e 8 korrikut, për të diskutuar mbi veton e Bullgarisë mbi Maqedoninë.

Presidentët janë të përkushtuar personalisht për të gjetur një zgjidhje kompromisi, çka do t’i hapte rrugën për fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE, njoftoi zyra e Pahor-it.

Gjatë një takimi mes tyre, Pahor dhe Radev kërkuan një zgjidhje kompromisi të pranueshme për të gjitha palët.

Dyshja ra dakord që zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është i nevojshëm dhe se duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.

Bullgarët do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme të dielën dhe, çdo kompromis do të duhet të miratohet nga parlamenti i ardhshëm. Parlamenti i mëparshëm votoi në tetor të vitit 2019, me shumicë absolute, një deklaratë që përmban kushte të rrepta për miratimin e fillimit të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Pahor, po ashtu, e diskutoi çështjen me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, javën e kaluar, kur vizitoi Ohrin.

Zgjerimi i BE-së është një nga përparësitë e presidencës sllovene të unionit. Gjatë presidencës portugeze në gjysmën e parë të vitit, nuk kishte asnjë marrëveshje mbi fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe as Shqipërinë.

Procesi ka qenë në një bllokim për shkak të bllokimit të rrugës së Maqedonisë së Veriut në BE nga Bullgaria.

Sofja konsideron se Shkupi nuk ka arritur të zbatojë Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2017, për çështje të tilla, si historia e përbashkët.

Gjithashtu Sofja fajëson Shkupin për retorikën që, në mënyrë të shpeshtë, e sheh Bullgarinë të etiketuar si një shtet fashist dhe bullgarët të përshkruar si “Tatarë”.

Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, nuk ka veto, megjithatë, shumica e vendeve anëtare mendojnë se Maqedonia e Veriut dhe bisedimet e pranimit të Shqipërisë nuk duhet të shkëputen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore