Euro 2020

Sllovakia cinike, dy gjuajtje për dy gola dhe tri pikë me vlerë


Ka përfunduar sfida midis Polonisë dhe Sllovakisë, e luajtur në stadiumin “Krestovsky” në Rusi. Sllovakët ia kanë dalë të marrin maksimumin nga kjo ndeshje, duke fituar me rezultatin 1-2.

Polonia ishte skuadra që bëri ndeshjen më të mirë, duke qenë kërkuese në fushë, por Sllovakia u tregua cinike, duke shënuar dy gola në dy gjuajtet që bën në portën e mbrojtur nga Wojciech Szczesny.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 18-të, pas një shpërthimi në krah të Robert Mak-ut. Sllovaku, i ndihmuar edhe nga devijimi i Szczesny-t, arriti të shënonte për 0-1. Në fakt, goli u quajt autogol nga portieri i Juventus-it.

Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 0-1 për Sllovakinë, ndërsa pjesa e dytë do të niste ndryshe. Vetëm një minutë nga fillimi i pjesës së dytë, Karol Linetty barazon rezultatin në 1-1.

Polonia shtoi forcën sulmuese në pjesën e dytë, duke kërkuar golin e avantazhin, por dalja me karton të kuq në minutën e 62-të e Grzegorz Krychowiak-ut, i penalizoi polakët.

Sllovakët duke përfituar edhe nga epërisa numerike në fushë, arritën të shënonin me Milan Skrinar-in. Mbrojtësi i Inter-it shënoi në minutën e 69-të, për 1-2.

Minutat e mbetura prodhuan lojë nga të dy skuadrat, por jo gola. Polonia do t’i afrohej disa herë golit, por fati nuk ishte me polakët.

Sllovakia udhëheq Grupin E me tri pikë dhe është në pritje të sfidës midis Spanjës dhe Suedisë, që do të luhet duke filluar nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore