Euro 2020

Skuadrat dhe lojtarët më “të dhunshëm” në Euro 2020


Euro 2020 përfundoi dhe Italia u kurorëzua kampione, por kampionët ishin një nga skuadrat më “të dhunshme” të turneut, referuar statistikave të UEFA-s.

Italia dhe Anglia, pasi shkuan në finale, janë dy skuadrat me më shumë ndeshje të luajtura në Euro 2020, shtatë. Sigurisht, një ndeshje më shumë, ndikon në rritjen e mundësisë që këto skuadra të jenë më lartë se të tjerat në faulle të shkaktuar dhe ndëshkimet me kartonë.

Italianët mbajnë vendin e parë në Euro 2020 me faulle të shkaktuar, 93. Pas tyre renditen: Danimarka me 75, Spanja me 72, Anglia me 71, Zvicra dhe Belgjika me nga 63.

Për ndëshkimin me karton të verdhë, përsëri kryeson Italia, me 12 kartonë. Pas tyre renditen: Zvicra me 11, Uellsi me nëntë, Franca, Polonia dhe Maqedonia e Veriut me nga shtatë.

Uellsi është lideri i kartonëve të kuq. Dy herë janë ndëshkuar uellsianët me kartonin e kuq, në katër ndeshjet që luajtën në Euro 2020. Nga një herë u ndëshkuan Zvicra, Suedia, Polonia dhe Holanda.

Lojtarët me më shumë faulle të shkaktuar janë: Thomas Delaney i Danimarkës me 15, Giovanni di Lorenzo i Italisë me 13, Kalvin Phillips i Anglisë me 12, Jorginho i Italisë, Thorgan Hazard i Belgjikës dhe Konrad Laimer i Austrisë me nga 11.

Ndërsa dy lojtarët më të ndëshkuar janë Grzegorz Krychowiak i Polonisë me tre kartonë të verdhë dhe një të kuq dhe Harry Maguire i Anglisë me tre kartonë të verdhë.

Me nga dy kartonë të verdhë janë ndëshkuar 18 lojtarë dhe me nga një karton të verdhë janë ndëshkuar 109. Me karton të kuq janë ndëshkuar gjashtë lojtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore