Lajme

Skenari në “mendjen” e Brnabiç: Paqja do të mbizotërojë dhe Kurti do të dështojë


Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka një skenar në mendjen e saj për zhvillimet e tensionuara në veri të Kosovës: “Paqja do të mbizotërojë dhe Kurti do të dështojë”.

Kështu i kundërpërgjigjet kreu i qeverisë serbe, kryeministrit Albin Kurti rreth deklarimeve të tij.

Në një status të gjatë në Twitter, Brnabiç shkruan se “ajo që Kurti sheh si kërcënim janë thirrjet tona të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet, dialog të hapur dhe të ndershëm, respektim dhe zbatim të plotë të secilës marrëveshje të arritur në dialogun e deritanishëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Sipas saj, Serbia ka një interes të veçantë për paqen dhe stabilitetin.

Serbia, shton kryeministrja serbe, respekton të gjitha marrëveshjet e nënshkruara – konkretisht: Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e Washington-it, por edhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Kartën e OKB-së.

“Këto janë vlerat tona”, vëren Brnabiç.

Nga ana tjetër, shtjellimi i skenarit në mendjen e kryeqeveritares serbe rreshton edhe “vlerat e Kurtit”.

“Marrëveshja e Brukselit – nuk ekziston; Marrëveshja e Washington-it – nuk është e vlefshme; OKB SCR 1244 – kërcënim ushtarak për Prishtinën; të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit – ndalimi i serbëve nga votimi, konfiskimi i pronave të tyre dhe kërcënimi çdo ditë me forcë brutale”, aludon homologia serbe.

Duke iu kthyer sërish deklarimeve të Kurtit, ajo nënvizon se edhe “mbështetësit e tij më të rreptë nga BE-ja dhe SHBA-të, shohin se çfarë përfaqëson ai në të vërtetë dhe cilat janë vlerat e tij – dhe nuk është as paqja as stabiliteti”, vijon Brnabiç.

Në përmbyllje, ndërsa e konsideron sjelljen e Kurtit si “të papërgjegjshme” dhe me “politika luftarake”, kryeministrja serbe bëri thirrje për qetësi dhe akoma më shumë durim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore