Sport

Skandali me fondet e UEFA-s, vjen edhe reagimi i klubit të Tiranës


Ka bërë bujë në mediat shqiptare lajmi që llogaritë bankare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) janë bllokuar nga një zyrë përmbarimore.

E përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”, ka qenë ajo që ka bërë publik lajmin e para, të mërkurën e 24 nëntorit. Më pas ka pasur reagim nga FSHF-ja dhe kundër-reagim, nga po kjo e përditshme.

Në mesin e një skandali të madh është lakuar edhe emri i klubit kryeqytetas, Tiranës. Sipas raportimeve, klubi duhet të merrte rreth 1 milion euro nga pjesëmarrja në Kupat e Evropës, të ardhura të cilat vijnë nga UEFA dhe rreth 65 mijë euro nga FSHF-ja për shkak të të drejtave televizive.

Por, llogaritë bankare të klubit kanë qenë të bllokuara nga përmbarimi dhe në këto kushte, sipas raportit, FSHF i ka depozituar paratë në llogari të tjera. Duke parë situatën e krijuar, përmbarimi ka bllokuar edhe llogaritë e FSHF-së.

Ndërkohë, të enjten e 25 nëntorit, ka ardhur dhe reagimi i parë zyrtar i klubit bardheblu. Sipas njoftimit të Tiranës, paratë nuk kanë kaluar në asnjë rast në llogari të tjera, por vetëm në ato zyrtare të klubit.

“Asnjëherë, asnjë vlerë monetare nuk ka kaluar në asnjë llogari tjetër përvecse ato zyrtare të KF Tirana”, thuhet në njoftimin e bardhebluve.

“Kushdo që është i interesuar, subjekt, gazetar apo futbollist që kërkon informacione të sakta për këtë cështje duhet të drejtohet në departamentin e zyrës së shtypit të klubit, për të gjitha informacionet e nevojshme”.

“Cilido që do të njollosë emrin e klubit 25 herë kampion në Shqipëri, për interesa meskine apo goditje të ulta për mënyrën sesi menaxhohet ky investim i madh, do të përballet me procedurat ligjore për shpifje sic parashikon ligji shqiptar”.

“Klubi ka qënë gjithmonë i hapur dhe transparent me publikun në cdo situatë dhe për këtë arsye sqarojmë se nuk do të lejojmë askënd të përbalti punën tonë”, përfundon reagimi zyrtar i 25 herë kampionëve të Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore