Lajme

“S’ka qerre para kalit, një herë kali pastaj qerrja”, Kurti me gjuhë të “drejtpërdrejt” për qytetarët


Foto: Mehmet Krasniqi

Albin Kurti i zënë ngushtë nga gazetarët në një organizim në Prishtinë dhe i detyruar të përgjigjet, ka përdorur një shëmbëlltyrë hoxhallarësh, për ta shpjeguar situatën aktuale në bisedimet në Bruksel.

“Nuk mund ta nxjerrim qerren para kalit, së pari kali pastaj qerrja”, tha kryeministri i Kosovës, duke provuar të tregojë se s’mund të flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe para se të flitet për marrëveshjen finale në përgjithësi, e cila mbështete në propozimin franko-gjerman.

“Ne kemi pasur një takim mbrëmë me Miroslav Lajçak dhe kemi diskutuar gjatë për propozimin e BE-së. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme është përbrenda këtij propozimi të BE-së”, deklaron Kurti.

“Unë jam i gatshëm ta diskutojmë propozimin për të cilën kam thënë se është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe është platformë për të ecur përpara”, deklaroi kryeministri.

Gjithsesi, në këtë takim me emisarin e BE-së, është arritur pajtim që të “zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake”.

Kështu ka shkruar vetë Lajçak në llogarinë e tij në Twitter, shkrim që e mbështeti me një fotografi ku bashkë me Kurtin e zëvendësin e tij, Besnik Bislimin, shihej duke ngrënë darkë të vonë në një lokal në Prishtinë.

Kurti, duke theksuar rëndësinë e “njohjes në qendër”, ka folur edhe për Asociacioni e Komunave me Shumicë Serbe, por tashmë me një gjuhë tjetër dhe jo si më parë.

Derisa në të kaluarën Kurti thoshte se nuk bën të formohet Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, tash thotë se nuk bën të formohet Asociacion një-etnik dhe jo nuk bën Asociacion në vetvete çfarëdo qoftë ai.

“Para 15 vjetësh thoshin se Kosova nuk bën të shpallet shqiptare, por duhet të jetë multietnike. Pasi që Kosova është shpallur multietnike, tash po insistohet në Asociacion një-etnik. Nuk e duron kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës Asociacionin një-etnik. Ne mund të diskutojmë, por kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës dhe pavarësia nuk duron asociacion një etnik”.

I pyetur për deklaratën e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili pas takimit shkroi në Twitter se “ka pajtim për zbatim të të gjitha marrëveshjeve, Kurti deklaroi se “unë nuk mund të bëj komente për komentet e Lajçakut”.

“Unë i kam thënë se 33 marrëveshjet para se të vij unë në pushtet janë në rrafsh horizontal, nuk kanë hierarki. Në anën tjetër propozimi franko-gjerman i ka 5 fjali në preambulë dhe 10 nene, nuk mund të marrësh asnjërin nen e ta vendosesh në krye, apo si parakusht. Është e padrejtë, është në kundërshtim me propozimin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore