Lajme

S’ka kuorum, LVV-ja s’merr pjesë në votim për Komisionin Hetimore për kontratat njëburimore  


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, të enjten, nuk pati kuorum për të votuar themelimin e Komisionit Hetimor për Kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.

Nga 63 deputetë sa ishin të pranishëm në seancën e Kuvendit të Kosovës në votim morën pjesë vetëm 26 ligjvënës.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë në votim.

Partia Demokratike e Kosovës, të enjten, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka kërkuar themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore.

Sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, për vetëm 1 vit Qeveria e Kosovës ka nënshkruar rreth 220 kontrata në vlerë totale rreth 153 milionë euro.

Marrë për bazë këtë fakt themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje është e rëndësishme meqë kështu mund arrihet në konkludime të qarta e në një raport përfundimtar, i cili më pastaj mund ta kanalizojë këtë çështje drejtë Prokurorisë.

Në diskutimin për këtë çështje që zgjati rreth tri orë, opozita ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për numër të madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë kësaj qeverisje.

Deputetët e mazhorancës në anën tjetër kanë thënë se themelimi i komisionit është ia panevojshëm dhe kanë mohuar akuzat e opozitës se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë e kalaruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore