Lajme

Situata në Veri, UNMIK-u: Jemi të shqetësuar, t’i jepet hapësirë diplomacisë


Ilustrim

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka shprehur shqetësimin e saj për situatën në Veri të vendit, konkretisht në komunat e Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, pasi qytetarët një ditë më parë kanë penguar zyrtarët e komisioneve komunale zgjedhore të kenë qasje në zyrat e tyre, ku po përgatiten edhe zgjedhjet komunale.

Sipas saj në këtë fazë aktuale ku situata është e tensionuar edhe si pasojë të çështjes së targave “nuk duhet të ketë vend për akte të dhunshme”.

“Është e domosdoshme të lejohen përpjekjet diplomatike për të sjellë zgjidhje të qëndrueshme politike”.

Për situatën e krijuar në Veri ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës mbajtja e zgjedhjeve në Veri është obligim kushtetues.

“Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kryeziu në rrjetin e tij social në Facebook.

Reagimi i zëdhënësit të Qeverisë ka ardhur, pak orë pasi Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shkruar në Twitter se SHBA-të janë të shqetësuara me atë çfarë po ndodhë në Veri dhe se konsiderojnë që nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, ashtu siç ishte planifikuar, me 18 dhjetor.

SHBA-të të shqetësuara: S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore