Lajme

Shumica e Ukrainës pa energji elektrike, dimri i madh po vjen


Rreth 60% e Kievit është pa energji elektrike prej dy ditësh dhe një dimër i ashpër, pritet të jetë edhe më i vështirë nga sa parashikohej, për shkak të goditjeve të Rusisë në infrastrukturën energjetike ukrainase.

Ka qenë vetë kryebashkiaku i Kievit, Vitaly Klitschko, ai i cili ka reflektuar mbi situatën e fundit të krijuar.

Pikë së pari, ai theksoi se janë rreth 60% e 3 milionë banorëve të kryeqytetit ukrainas, ata të cilët janë në emergjencë tërësore energjetike.

Ndërprerja e rrymës është e pashmangshme sipas tij, edhe për shkak se ajo duhet shpërndarë në mënyrë të barabartë. Por, mbi të gjitha, për faktin se goditjet ruse ndaj termocentraleve, kanë qenë pa ndërprerje.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se po bëhen përpjekje maksimale për të rikthyer sistemin energjetik, së paku për nevojat bazike të qytetarëve.

Në gjithë pjesën tjetër të territorit, ka gjithashtu ndërprerje të shpeshta të energjisë.

Mbi të gjitha, në rajonin jugor të vendit dhe në atë lindor, i cili kontrollohet aktualisht nga forcat ruse.

Sipas të dhënave zyrtare nga komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Volker Turk, janë vrarë 77 persona deri tani, për shkak të goditjeve në infrastrukturën ukrainase.

Vetë Kremlini, nuk e përfill shumë gjithë situatën e krijuar.

Më parë, ka qenë zëdhënësi i shtypit nga Presidenca ruse, Dmitry Peskov, ai i cili ka mohuar çdo akuzë se Rusia ka goditur infrastrukturën ukrainase.

Mirëpo, faktet dhe situata atje, tregojnë tërësisht të kundërtën.

Me një dimër tepër të ftohtë që po vjen në Ukrainë, energjia elektrike – kryesisht ajo për ngrohje – është e domosdoshme për të siguruar mbijetesën e qytetarëve, të cilët ende gjenden nën agresionin rus.

Por, kjo, nuk është e sigurt, me goditjet e Moskës që vijojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore