Vende

Shtyhet hapja e vendpushimeve të skive në Itali


Një vendim i minutës së fundit për të anuluar rihapjen e vendpushimeve të skive në Itali ka shkaktuar zemërim dhe një rebelim kundër kufizimeve.

Sezoni i skive në Itali ishte planifikuar të fillonte, por u shty nga ministria e Shëndetësisë deri në 5 mars. Kjo për shkakt të shqetësimeve në lidhje me përhapjen e varianteve Covid-19.

Vendimi i vonë ishte bazuar në një raport nga instituti më i lartë shëndetësor që tregon se varianti i Coronavirus-it në Mbretërinë e Bashkuar përfaqësonte 17.8% të infeksioneve të reja në Itali. Varianti është identifikuar në të paktën 13 nga 20 rajonet e vendit.

“Shqetësimi në lidhje me përhapjen e këtij dhe varianteve të tjera të Sars-CoV-2 ka çuar në marrjen e masave të ngjashme në Francë dhe Gjermani,” tha ministria.

Kishte një reagim të menjëhershëm ndaj këtij vendimi, i cili erdhi një ditë pasi qeveria e re e udhëhequr nga Mario Draghi u betua, veçanërisht pasi vendpushimet kishin planifikuar për javë me radhë për rinisjen.

“Një mbyllje e komunikuar në orën 7 të mbrëmjes në prag të hapjes, e planifikuar për javë të tëra, pas muajsh punë në protokolle, punësimi dhe përgatitje, është sinqerisht e paimagjinueshme”, tha Erik Lavévaz, presidenti i rajonit Valle d’Aosta. “Ndërsa i kuptoni arsyet shëndetësore, procedura nuk mund të shpjegohet vërtet.”

Attilio Fontana, presidenti i Lombardisë, rajon në Itali i prekur më keq nga Coronavirus-i, tha se vendimi i papritur ishte një “goditje e mëtejshme serioze për një sektor që po rifillonte me dhimbje”.

Sezoni i skive është një burim i madh financiar për Italinë dhe shumë fshatra përtej rajoneve malore veriore dhe qendrore varen nga ajo për të mbijetuar. Coldiretti, shoqata e fermerëve, vlerëson humbjen ekonomike të sektorit dhe bizneseve me 10 miliardë €.

Roberto Speranza, i cili u rikonfirmua si ministër i Shëndetësisë nga Draghi, tha se bizneset e prekura shpejt do të kompensohen.

Disa vendpushime e kundërshtuan vendimin dhe rihapën stacionet e skive, duke përfshirë Piana di Vigezzo në Craveggia, Piemonte. Resorti mirëpriti 100 skiatorët e tij të parë nga ora 8 e mëngjesit.

“Të premten ne u siguruam nga autoritetet rajonale dhe kishim përgatitur gjithçka për një rihapje të sigurt,” i tha media italiane Luca Mantovani, një nga pronarët e kompanisë që administron stacionet e skive në zonë. “Kështu që tani kemi vendosur të ndjekim rrugën tonë.”

Italia ka regjistruar më shumë se 93 mijë e 500 vdekje të lidhura me Coronavirus-in, numri i dytë më i lartë në Evropë pas MB. Studimi i botuar në fundjavë sugjeroi që varianti në MB mund të ishte më vdekjeprurës se versionet e tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore