Shqipëria

Shpërdorim detyre: SPAK arreston ish-drejtorin e RTSH-së


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar drejt prangave ish-drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Thoma Gëllçi, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkak të pabarazisë në tendera.

Së bashku me Gëllçin, në pranga kanë përfunduar dhe tre punonjës të tjerë,  J.T., A.M., E.M.

Tenderi, për të cilin bëhet fjalë, është “blerja e pajisjeve të kanalit RTSH Agro me vlerë prej limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh)”.

Tre personat që janë arrestuar, kanë qenë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Vendimi

Prokuroria e Posaçme ka konstatuar në proçedurën e prokurimit shkelje ligjore.

Shkelja daton më 9 nëntor të vitit 2018.

Vepra penale është “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë”, nënvizohet në deklaratën e SPAK-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore