Shqipëria

Qendra e masazheve shfrytëzohej për prostitucion, në pranga 3 persona


Në Tiranë është finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 6 operacioni policor i koduar “Location”, ku u godit një rast i shfrytëzimit të qendrave të masazheve për prostitucion.

Në të janë vënë në pranga tre shtetase. Kurse katër shtetas të tjerë janë proceduar penalisht.

Ndërkaq, shpallet në kërkim pronari i qendrës së masazheve.

Arrestimi në flagrancë u bë për shtetaset  M. H., 27 vjeç dhe B. K., 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, menaxhere në një qendër masazhesh, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Po ashtu edhe për shtetasen S. S., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, punonjëse në qendrën e masazheve, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni” shtetaset Z. A., 30 vjeçe, Xh. Sh., 21 vjeçe dhe A. K., 26 vjeçe, të tria banuese në Tiranë, punonjëse në qendrën e masazheve;

Por edhe R. M., 37 vjeç, banues në Maqedoni, klient në qendrën e masazheve.

Në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim shtetasi M. M., 47 vjeç, pronari i qendrës së masazheve, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Shtetaset M. H. dhe B. K. menaxhonin qendrën e masazheve në pronësi të shtetasit M. M., në rrugën “Teodor Keko”, në të cilën ishin të punësuara shtetaset S. S., Z. A., Xh. Sh. dhe A. K.

Përveç aktivitetit të regjistruar si qendër masazhesh, në këtë ambient, nga dy menaxheret dhe katër punonjëset, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit, i organizuar nga pronari i kësaj qendre.

Ndërkohë, materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore