Bota

SHBA/Trump pranon humbjen, dënon dhunën në Capitol


Presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump, pranoi për herë të parë realitetin politik që e rrethon dhe dënoi aktet e dhunës që ndodhën në Capitol, ku u vranë pesë persona dhe mbi 50 oficerë policie u plagosën.

Në videomesazhin e publikuar, Trump-i kërkoi një “tranzicion të qetë presidencial”. Ai pranoi për herë të parë se zgjedhjet ishin të humbura.

Trump dënoi protestat e mbështetësve të tij në Capitol. “Ata nuk do të shpëtojnë pa dënim”, tha Trump.

“Është i palejueshëm uzurpimi i tempullit amerikan të demokracisë”, shtoi ai.

Këto deklarata të Trump-it vijnë pas kërcëmieve të tjera mbi mundësinë e shkarkimit të tij. Vënia në punë e Amendamentit të 25-të është kërcënim i disa ligjvënësve amerikanë.

Qetësia e Trump-it në video binte në sy shumë. Ai bëri thirrje për “shërimin e SHBA-së nga kjo gjendje”.

Kjo nuk është hera e parë kur Trump-i zbut tonet pas situatave delikate politike në SHBA.

Shumë ekspertë e cilësojnë sjelljen e tij si “të pritshme për shkak të kërcënimeve që ka marrë për shkarkim”.

Një pjesë e madhe e ligjvënësve amerikanë kanë vënë në dyshim gjendjen mendore të Trump-it. Disa e kanë cilësuar gjëndjen e tij si të “paqëndrueshme”.

Nëse tentativa për shkarkim do të jetë reale, Trump-i do të jetë presidenti i parë që shkarkohet vetëm 10 ditë përpara mbarimit të mandatit.

Në mbyllje, presidenti në largim, siguroi mbështetësit e tij se “ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të tij politik”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore