Bota

SHBA-Rusi, akuza të ndjërsjellta mbi protestat pro-Navalny


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken

Sekretari i Shtetit në SHBA, Antony Blinken, ka dënuar autoritetet ruse mbi përgjigjen “e egër” që i kanë dhënë mbështetësve të Alexei Navalny-t, të cilët dolën në rrugët e 120 qyteteve.

“SHBA-ja dënon përdorimin e dhunës dhe taktikave të ashpra ndaj protestuesve dhe gazetarëve rusë. Kjo është java e dytë që ndodh diçka e tillë”, shkruan Blinken-i në Twitter. “I bëjmë sërish thirrje Rusisë për reflektim. Duhen respektuar të drejtat dhe liritë njerëzore”.

Kjo deklaratë e krye diplomatit amerikan vjen pas valës së dytë të protestave në Rusi. Janë arrestuar mbi 2 mijë e 300 persona deri në orët e pasdites në gjithë Rusinë. Priten përditësime me shifra të rritura ndërkohë. Monitorimin po e kryejnë agjencitë e pavarura të lajmeve, duke komunikuar nëpërmjet mediave sociale me publikun.

E menjëhershme ka qenë edhe deklarata e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Kremlini akuzon SHBA-në drejtpërdrejtë për “ndërhyrje të mëdha” në punët e brendshme të shtetit rus. Ky reagim lidhet edhe me arrestimin e Alexei Navalny-t në 17 janar.

Autoritetet në SHBA kanë dënuar arrestimin e opozitarit rus. Ata gjithashtu kërkuan lirimin e menjëhershëm të tij. Kremlini gjithsesi, nuk i mori aspak parasysh fjalët e amerikanëve.

Kjo situatë ka krijuar tensionet e para midis administratës së re amerikane, nën drejtimin e Joe Biden-it, dhe kastës së vjetër politike në Rusi, nën drejtimin e Vladimir Putin-it.

Për t’u parë, mbetet qasja e diplomacisë amerikane dhe ashpërsia me të cilën do të trajtohet Rusia. Nën administratën Trump, patëm një ulje të toneve midis dy shteteve. Presidenca e Biden-it gjithsesi, po fillon me një sfidë diplomatike të ndërlikuar, duke marrë parasysh situatën e krijuar në Rusi nga protestat pro-Navalny.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore