Lajme

SHBA/Juria shpall fajtor ish-oficerin për vdekjen e Floyd-it


Një juri amerikane e ka shpallur ish-oficerin Derek Chauvin, fajtor për vrasjen e afro-amerikanit, George Floyd. Ai u vra në një rrugë në Minneapolis, vitin e kaluar.

Derek Chauvin, 45 vjeç, u filmua teksa vuri gjurin mbi qafën e Floyd-it për më shumë se nëntë minuta.

Pamjet e publikuara nxitën protesta kundër racizmit dhe përdorimit të tepruar të forcës nga policia, në të gjithë botën. Mori akoma më hov lëvizja “Black Lives Matter”, e cila është nominuar për Çmimin Nobel për Paqen 2021.

Chauvin u shpall fajtor për tri akuza: vrasje të shkallës së dytë, vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa dashje.

Garancia e tij u revokua menjëherë dhe u vendos në paraburgim.

Dënimi ka të ngjarë të ndodhë brenda dy muajsh dhe ish-oficeri mund të kalojë dekada në burg.

Jurisë 12-anëtarëshe iu desh më pak se një ditë për të arritur vendimin e tyre, i cili pasoi një gjykim trejavor, që la Minneapolis-in në ankth.

Vendimi për shpalljen fajtor nxiti skena festive jashtë gjykatës, ku disa qindra njerëz dolën dhe përshëndetën njoftimin.

Avokati i familjes Floyd, Ben Crump, tha se ngjarja shënoi një “pikë kthese në histori” për SHBA-në.

“Drejtësia e fituar me dhimbje, më në fund ka mbërritur”, shkroi ai në Twitter.

Presidenti Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris telefonuan familjen Floyd menjëherë pas vendimit.

Biden u dëgjua duke thënë se “të paktën tani ka njëfarë drejtësie”.

Dhe në daljet televizive pak më vonë, Biden tha se racizmi është “një njollë në shpirtin e të gjithë kombit”.

Ndërkohë, Harris u bëri thirrje ligjvënësve të kalojnë projektligjin, George Floyd, që synon reformimin e policisë në SHBA.

“Ky projektligj është pjesë e trashëgimisë së George Floyd. Ky proces duhej të ishte nisur me kohë”, tha ajo.

Mediat amerikane raportojnë se oficeri Chauvin pritet të apelojë kundër vendimit.

Sipas tyre, një nga faktet më të mundshme të apelimit është publiciteti i madh që i është dhënë çështjes. Ekipi i mbrojtjes ka argumentuar se kjo mund të ketë ndikuar në juri.

Gjithashtu, gjykatësi kryesor i çështjes, Peter Cahill, tha të hënën se edhe komentet publike të bëra nga kongresistja demokrate, Maxine Waters, mund të përdoren si arsye për apel.

Gjatë fundjavës, Waters u kishte kërkuar protestuesve të “qëndronin në rrugë” dhe “të bëhen më agresivë” nëse Chauvin do të lihej i pafajshëm.

Aktivistët thonë se drejtësia është vendosur dhe ndihen sikur u është hequr një barrë nga shpatullat.

Çfarë ndodhi gjatë gjykimit?

Gjatë gjyqit të Chauvin-it, juria dëgjoi 45 dëshmitarë dhe pa disa video për orë të tëra.

Dëshmitë më të fuqishme erdhën nga dëshmitarët okularë.

Courteney Ross, e dashura e Floyd-it dhe Philonise Floyd, vëllai i tij më i vogël, gjithashtu u morën për të ndarë detaje për rrjedhojën e ngjarjes.

Vetë Chauvin zgjodhi të mos dëshmonte, duke thirrur të drejtën e tij për të mos e inkriminuar veten me përgjigjet e tij.

Cilat janë akuzat?

Vrasja e paqëllimtë është kur dikush shkakton pa dashje vdekjen e një personi tjetër.

Vrasja e shkallës së dytë është akti që çon në vdekjen e dikujt qëllimisht apo jo. Dënimi maksimal për këtë akuzë është 40 vjet burg.

Vrasje e shkallës së tretë do të thotë që një individ ka vepruar në një mënyrë që rrezikon jetën e një apo më shumë personave, duke përfunduar në vdekje.

Oficerët e policisë rrallëherë janë dënuar. Ka pasur raste që edhe nuk janë akuzuar fare. Prandaj, verdikti është parë gjerësisht si një tregues se si sistemi ligjor amerikan duhet të trajtojë raste të tilla në të ardhmen.

Çfarë ndodhi me George Floyd?

46-vjeçari bleu një paketë cigare në një dyqan në Minneapolis-in Jugor, mbrëmjen e 25 majit 2020.

Një ndihmës i dyqanit mendoi se ai përdori një kartëmonedhë të falsifikuar 20-dollarëshe dhe lajmëroi policinë pasi Floyd refuzoi të kthente cigaret mbrapsht.

Oficerët mbërritën dhe e prangosën, por kur ata u përpoqën ta fusnin në makinën e policisë ai bëri rezistencë dhe nga përleshja Floyd përfundoi me fytyrë në trotuar.

Chauvin, 44 vjeç, vendosi gjurin e tij të majtë midis kokës dhe qafës së Floyd-it dhe e mbajti atë për shtatë minuta e 46 sekonda, sipas prokurorëve.

Dy oficerë të tjerë e ndihmonin, ndërsa një tjetër ndalonte përfshirjen e dëshmitarëve në skenë.

Më shumë se 20 herë, Floyd përsëriti se nuk mund të merrte frymë. Ai u shpall i pajetë një orë më vonë në spital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore