Covid 19

SHBA/ Biden synon të zgjerojë vaksinimin edhe te fëmijët


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka njoftuar se deri më 4 korrik do të vaksinohet 70% e popullsisë.

Ai ka bërë me dije se shumë shpejt do të fillojë dhe vaksinimi për grupmoshën 12-15 vjeç.

Qëllimi i Biden-it është që deri në Ditën e Pavarësisë të arrijë 160 milionë të vaksinuar.

Sipas tij, kjo është e arritshme, pasi deri më tani, 105 milionë qytetarë kanë marrë dozën e parë anti-Covid.

SHBA po vaksinon gati 1 milion qytetarë në ditë, ndërsa shkalla e vaksinimit është gjysma e asaj që ishte tri javë më parë.

Biden tha se administrata e tij po punon për të fituar “kundër qytetarëve që dyshojnë” në lidhje dozat.

Ai tha nga Shtëpinë e Bardhë, të hënën se, “në dy muaj do të festojmë pavarësinë si komb dhe pavarësinë tonë nga ky virus”.

Presidenti demokrat njoftoi gjithashtu hapjen e faqes më të re në internet, vaccines.gov. Përmes kësaj faqeje, amerikanët mund të gjejnë më lehtë vendet e vaksinimit, pas ankesave për vështirësi në procesin e vaksinimit.

Plani për fëmijët

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave po shqyrton akoma, nëse duhet të miratojë vaksinën Pfizer për fëmijë të moshës 12 vjeç.

Vaksina e Pfizer-it aktualisht është aprovuar në SHBA për njerëz të moshës 16 vjeç.

Biden tha se, nuk do të ndërhynte në procesin e FDA, por “nëse vjen ai njoftim, ne jemi gati të lëvizim menjëherë”.

Ai shtoi se 15 mijë farmaci do të vihen në dispozicion të adoleshentëve, për të marrë dozën e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore