Lajme

Një i vdekur dhe mbi 60 raste me COVID-19 në dy javët e fundit në Kosovë


Ilustrim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se në dy javët e fundit në Kosovë, është raportuar një rast i vdekjes nga COVID-19 dhe 67 raste pozitive.

IKSHPK-ja, përmes një komunikate për media ka thënë se numri më i madh i rasteve të fundit i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç.

“Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga Komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste), kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në Komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë”, thuhet në njoftimin për media të IKSHPK-së.

Nga ky institut, është thënë se përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Kosovë me COVID-19 mbetet e qetë.

IKSHPK-ja, ka kërkuar nga qytetarët që të bëjnë testin në rast të dyshimeve se janë infektuar me Coronavirus.

“Përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19”.

Vetëm gjatë muajve shkurt dhe mars, katër raste të vdekjes ishin shënuar nga COVID-19.

Përmes një komunikate për media nga IKSHPK-ja ishte thënë se Kosova është duke shënuar trend të rritjes së rasteve të reja.

“COVID-19 në Kosovë shënon trend të rritjes së rasteve të reja, fatkeqësisht sot kemi të regjistruar dy raste fatale të cilët kishin sëmundje shoqëruese”.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ndërsa me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes qytetarët janë këshilluar të vaksinohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore