Kosova

Serbët dorëzojnë kërkesë për largimin e Erden Atiq, Uglajnin për AP: Do ta refuzoj, ka gabime


Ndertesa e Komunes se Mitrovices se Veriut

Një grup qytetarësh serbë kanë dorëzuar këtë të enjte kërkesën për inicimin e peticionit për largimin e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, mirëpo për shkak të përmbajtjes së saj e njëjta do të refuzohet nga institucioni relevant.

Lajmi për Albanian Post e ka konfirmuar Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, i cili ka bërë me dije se kërkesën në fjalë do ta refuzojë.

“Po e kanë bërë kërkesën, e kam protokolluar, por sërish kërkesa nuk është në përputhje me ligjshmëri. Unë kam afat pesë ditë që ta shqyrtojë”, tha fillimisht Ugljanin për AP.

Njëri nga shkaqet që thuhet në kërkesën e serbëve për peticion është se gjoja shërbimet komunale nuk janë adekuate nga stafi dhe se komuna nuk është në funksion.

Kërkesa e serbëve për peticion.

Mirëpo, për Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, “kjo nuk mund të jetë arsye”.

“Po, sigurisht do ta refuzojë”, theksoi ai.

Kjo iniciativë e serbëve për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave Veriore, vjen pas asaj të së martës, ku nuk i ndoqën fare procedurat e parapara në Udhëzimin Administrativ.

Loja – që u mor vesh – e Beogradit rreth peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Veri

Çfarë konkretisht shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore