Kosova

Loja – që u mor vesh – e Beogradit rreth peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Veri


Veriu i Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, por edhe politikanë serbë të Kosovës të afër me regjimin në Beograd, pretenduan se është refuzuar kërkesa e serbëve për të iniciuar peticion për shkarkimin e katër kryetarëve në Veri të Kosovës, ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ – të hartuar nga Qeveria e Kosovës – mirëpo kjo u demantua nga Nexhat Uglanjin, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili tha për Albanian Post se nuk ka marrë asnjë kërkesë të tillë, dhe se e gjithë kjo është bërë për “show mediatik”.

Në Udhëzimin Administrativ thuhet se fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse, gjë që nuk është bërë.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve do të duhej të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Mirëpo, kjo procedurë nuk është ndjekur fare nga ana e serbëve, të cilët kanë shkuar para objekteve të komunave Veriore duke pretenduar se u është refuzuar kërkesa e tyre për peticion pa e kaluar procedurën fare.

“Informatat janë të rrejshme, sepse ata as nuk kanë kërkuar takim me kryesuesin, dhe asnjë kërkesë nuk ka ardhur sipas proceduarave dhe Udhëzimit Administrativ. Ata kanë vepruar në mënyrë politike si zinxhir në katër komunat Veriore, me manipulime politike”, tha Uglanjin për AP.

Nuk është bërë asnjë kërkesë, insistoi ai, “as nuk është kërkuar takimi për iniciativën”. “Sigurisht, ata kanë bërë boom mediatik që Kryesuesit e Kuvendeve Komunale s’kanë dashur që t’i pranojnë kërkesat”.

Nga ana tjetër, Petkoviç ka pretenduar se Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë refuzuar që t’i pranojnë kërkesat e serbëve lokalë në katër komunat Veriore, derisa ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti, dhe kabinetin e tij se “nuk janë të interesuar për ndonjë de-eskalim dhe normalizim të situatës në katër komunat në Veri, që është një nga kërkesat kryesore të Beogradit, por edhe të BE-së, por që synimi i tij është vazhdimi i terrorit ndaj popullit serb”.

“Pikërisht kjo është arsyeja që sot përfaqësuesit shqiptarë në komunat e Mitrovicës së Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit refuzuan të pranojnë iniciativën e arsyetuar qytetare për largimin e kryetarëve të rremë dhe jolegjitimë, të cilën qytetarët e parashtruan në përputhje të plotë me dispozitat e Udhëzimit Administrativ i hartuara nga vetë ata në Prishtinë” pretendoi Petkoviç.

Por, korrieri më i madh i propagandës serbe është demantuar nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, i cili vë në pah se ato kërkesa as që i kanë parë, e as që i janë drejtuar atij, ashtu siç duhet proceduralisht në bazë të Udhëzimit Administrativ.

“Ato kërkesa as që e i kena parë, as që na u janë drejtuar, ata sigurisht po provojnë që ta manipulojnë popullatën serbe këtu, për të krijuar konfuzione që për ta nisur peticionin komunat Veriore s’kanë dashur që ta pranojnë kërkesën dhe iniciativën për nisjen e proceduarave”, shpjegon ai për AP.

Kjo, theksoi Uglanjin, “është informata e saktë”, derisa tregoi se grupi i cili ka pretenduar se është refuzuar nga ai, është mbledhur jashtë objektit të komunës, dhe se s’kanë kërkuar fare takim me të.

“Jo s’kanë qenë të unë fare. Ata kanë qenë vetëm afër objektit  edhe i kanë thirrur mediat dhe i kanë thënë se s’po dojnë që të na pranojnë kërkesat, por s’janë lajmëruar tek unë me ndonjë lloj kërkese”.

“Unë as që i di kush janë ata tre persona nga ajo iniciativë, por e di që afër objektit kanë qenë 3 vetë”.

Nga ana tjetër, përveç se kanë shkuar para objekteve komunale në katër komunat Veriore për të kërkuar largimin e kryetarëve shqiptarë, serbët e Kosovës kanë nisur edhe disa e-maile në adresë të Komisionit Qendror të Kosovës (KQZ), po për të njëjtën gjë.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtar, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për AP.

Çfarë konkretisht shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore